Kulturë

Restaurohet Xhamia e Myderriz Ali Efendisë në Prizren

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, të premten, ka njoftuar se kanë përfunduar punimet restauruese-konservuese në Xhaminë e Myderriz Ali Efendiut në Prizren.

Sipas drejtuesve të kësaj qendre, ky objekt fetar dhe kulturor ka rëndësi të veçantë nacionale e kombëtare. Bazuar në shënimet nga shekulli XIX të konsullit rus në Prizren, Ivan Jastrebov, Xhamia e Myderriz Ali Efendiut ishte ndërtuar në vitin 1581.

“Objekti përmban vlerat kulturo-historike të arkitekturës fetare (sakrale) të vendit. Këto lloje objektesh janë pasqyrë e një periudhe të caktuar të historisë ku dëshmohet mënyra e organizimit të jetës sociale-fetare dhe arsimore të shoqërisë sonë. Po ashtu, ky objekt është njëri nga të paktët që krahas funksionit parësor që ishte kryerja e riteve fetare, ka funksionuar edhe si shkollë fillore dhe mesme, ku janë shkolluar brezat e rinj kur kemi parasysh nivelin shumë të lartë të analfabetizmit dhe faktin se ishte i shekullit XVI”, ka thënë drejtori i QRTK-së, Samir Hoxha.

Kjo xhami gjendet në mes të katedrales së Zonjës ndihmëtare dhe xhamisë së Iliaz Kukës. Xhamia kufizohet me tri rrugica, duke formuar një oborr në formë trekëndëshe me mure prej guri. (Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)