Kulturë

Qeveria shqiptare synon nxitjen e turizmit në Kalanë e Elbasanit

Si monument i rëndësishëm kulturor, Kalaja e Elbasanit identifikohet vetëm me një pjesë të murit rrethues dhe disa objekte të tjera që i kanë përballuar kohës. Struktura e saj e dikurshme ka ndryshuar shumë, shkaku i ndërtimeve të reja në atë pjesë.

Por, Qeveria shqiptare e sheh pjesën e mbetur të objektit si potencial zhvillimi edhe për ekonominë e qytetit të Shqipërisë Qendrore.

“Sot ne kemi faktet, nuk është çështja më e një faze embrionale e disa projekteve, që një pjesë e madhe e atyre që kanë privilegjin të komunikojnë me njerëzit përmes mediave e konsideronin thjesht një zbukurim, fasadë, sipërfaqësore. Sot kemi faktet që këto ndërhyrje janë mirëfilli me impakt ekonomik”, ka thënë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me qytetarët e asaj zone në kuadër të bisedimeve që po mban si parapërgatitje për zgjedhjet parlamentare të muajit prill.

Sipas Ramës, të ndërhysh në zonat e trashëgimisë kulturore me potencial turistik për të ndërtuar shëtitore, për të ndërtuar hapësira urbane të kualifikuara bukur, do të thotë të bësh ekonomi.

“Këtë e tregojnë shifrat në të gjitha këto hapësira. Shembulli më konkret është ai i pazarit të vjetër të Korçës. Sa të ardhura dhe sa biznes bënte në të shkuarën dhe sa është impakti kësaj hapësire sot, përtej sa e ka rritur turizmin kjo zonë”, ka thënë ai. Sipas Ramës, ka shumë njerëz që nisen drejt Korçës për të shkuar drejt pazarit të Korçës për të kaluar atje një kohë të caktuar. “Kalaja e Elbasanit është një aset i jashtëzakonshëm në këtë drejtim”, ka thënë Rama.

Sipas tij, Kalaja është absolutisht një aset me potencial ekonomik të jashtëzakonshëm. Ka thënë se rilindja e Kalasë në një frymë dhe formë tjetër, duke ruajtur hiret e saj që janë trashëguar ndër shekuj dhe vënia në dispozicion e Kalasë në të gjithë makinerinë e zhvillimit ekonomik të qytetit, është çështje që askush nuk duhet dhe s’mund ta diskutojë. “A do të ishte e mundur kjo bisedë, kur ndërkohë makthi i Elbasanit ishin plehrat e qytetit. A do të bënte sens të merreshim me këtë, pa stabilizuar tjetrën, përpara se të shëronim një plagë të hapur në mes të qytetit. Unë mendoj që jo, sepse sado që Kalaja do të tërhiqte, mali me plehra dhe ndotja do të shtynin pas. Tani është koha ideale për të çuar përpara këtë projekt”, ka thënë ai.

Gjatë bisedës ai ka thënë se nuk do të mungojë mbështetja, por jo vetëm kaq. “Jam brenda këtij projekti dhe jam për ta çuar përpara këtë projekt. Elbasani e ka një magnet të jashtëzakonshëm kalanë për turizmin, por nuk është në funksion. Kur të vihet në funksion fluksi i turistëve, do të jetë me patjetër dhe kjo do të jetë sfida e radhës, përballimi i fluksit të qytetarëve”, ka thënë ai.

Kalaja ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit dhe dikur ka qenë kështjellë ushtarake. Përmes saj kalonte rruga “Egnatia”. Brenda saj ndodhen edhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore, si Kulla e sahatit e hamami i vjetër bashkë me një xhami dhe një kishë.

Folegj: “Jam brenda këtij projekti dhe jam për ta çuar përpara këtë projekt. Elbasani e ka një magnet të jashtëzakonshëm kalanë për turizmin, por nuk është në funksion. Kur të vihet në funksion fluksi i turistëve, do të jetë me patjetër dhe kjo do të jetë sfida e radhës, përballimi i fluksit të qytetarëve”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizite në Elbasan