Kulturë

Mendohet se Stonehenge fillimisht ishte në Uells

Arkeologët besojnë se kanë zbuluar origjinën e monumentit parahistorik Stonehenge pasi zbuluan mbetjet e një rrethi antik guri në Uells, që mund të ishin çmontuar dhe rindërtuar qindra vjet më vonë në Angli.

Ndër monumentet më të njohura dhe misterioze të Britanisë, gurët në Stonehenge tërheqin turistë nga e gjithë bota dhe njerëz që kërkojnë lidhje shpirtërore me të kaluarën. Qëllimi i tyre i saktë mbetet i panjohur.

Një ekip arkeologësh më 2015 kishin thënë se disa prej gurëve erdhën nga një gurore nga kodrinat Preseli, në bregun perëndimor të Uellsit, më shumë se 150 milje (250 kilometra) larg.

Tani studiuesit në “University College” në Londër thonë se ata besojnë se disa prej gurëve formuan fillimisht një monument edhe më të vjetër në Uells. Ata kanë gjetur lidhje të rëndësishme midis Stonehenge dhe lokalitetit në Uells.

Lokaliteti Uells ka një diametër prej 110 metrash, i njëjtë me hendekun që mbyll “Stonehenge”, dhe të dy janë të rreshtuar në lindjen e diellit të solsticit të verës. Të paktën një nga gurët blu në Stonehenge përshtatet në një nga vrimat e gjetura në rrethin e Uellsit.

Parker Pearson, një profesor i arkeologjisë në “University College” të Londrës, i cili drejtoi hetimin, sugjeron se gurët mund të ishin zhvendosur ndërsa njerëzit që jetonin në Uells migruan, duke marrë monumentet e tyre me vete dhe duke i ngritur përsëri në Stonehenge.

"Është sikur ata thjesht u zhdukën. Ndoshta shumica e njerëzve migruan, duke marrë me vete gurët e tyre - identitetet e tyre stërgjyshore”, ka thënë ai për BBC.