Kulturë

“Histori personale përmes pikave” për kohën dhe universin

Prishtinë, 16 qershor - Sipërfaqja e zezë vjen si kontrast i shumëllojshmërisë së ngjyrave që përmes pikave formësojnë peizazhe sureale, piktura abstrakte e forma të tjera të definuara.

Pjesa më e madhe duken si ornamente, por që në fakt janë të punuara me një stil të veçantë që ndryshe njihet edhe si arti aborigjin. Aty përvidhen edhe forma trupore.

Në më shumë se 40 piktura që dallojnë për nga forma dhe madhësia – disa katrore të punuara në pëlhurë dhe të tjera të rrumbullakëta të punuara në dru – vjen rrëfimi personal i piktores Valbona Karabaxhaku-Dërdovski.

“Histori personale përmes pikave” është përmbledhje e një pune dyvjeçare, që shpalos eksperiencat dhe ndjenjat e saj të momentit. E bota e saj është shumëngjyrëshe. Ani pse arti aborigjin si bazë e ka të zezën, të verdhën, oker dhe të kuqen, Karabaxhaku-Dërdovski eksperimenton me kombinime ngjyrash dhe një gjë e tillë i jep mundësi të sjellë një dimension krejt tjetër. Kështu marrin formë trajtat që japin ndjesinë e diellit, detit dhe yjeve, apo edhe të një universi që piktorja mund ta ketë përfytyruar.

Ajo nisi të eksperimentonte me artin aborigjin vetëm para dy vjetësh. Arti u bë pjesë e pandashme e përditshmërisë së saj, ani pse nuk është piktore me profesion (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).