Kulturë

Kthehet në ritenderim projekti i teatrit të Operës “Ibrahim Rugova”

Assesi të nisë realizimi i projektit për ndërtimin e Teatrit të parë të Operës dhe Baletit, “Ibrahim Rugova”. Iniciativa e Ministrisë së Kulturës është kthyer mbrapshtë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit publik, i cili ka anuluar aktivitetin e prokurimit të autoritetit kontraktues të kësaj Ministrie.

Kjo pasi ata përjashtuan nga gara 3 ofertues si të papërgjegjshëm, duke shkuar me një ofertues të vetëm, apo me atë që njihet si tender një burimor, raporton KTV.

Të paktën kështu shkruan në vendimin sqarues të OSHP-së.

Kohavisioni ka kontaktuar me Ministrinë e Kulturës, por zyrtarët për informim kanë deklaruar se lënda është ende në shqyrtim dhe sapo të mblidhet komisioni do të dalë me një qëndrim.

Sidoqoftë, ideja për një teatër të tillë ka nisur para 12 vjetësh.

Ministri ishte arsyetuar se projekti u vonua pasi pati mungesë fondesh dhe probleme të mëdha në çështjen e akustikës.