Kulturë

Paqeruajtësi im rastësor

Descriptive Text

“Në romanet e Kadaresë, njerëzit e gjejnë lirinë e tyre në çaste të shkurtra, edhe kur janë të kufizuar nga ligje të padrejta”

Në një nga rruginat me tezga në pazarin e së dielës me libra në Delhi, një librashitës ishte goxha gjeni në renditjen e librave të dorës së dytë në një lloj stive mes romanesh. Isha studente që po këqyrja për një kopje të lirë të “Kështjellës” së Franz Kafkës, dhe ai më ofroi mua para një kopje të leskëruar të dramave të Brechtit një libër të një autori që nuk e njihja: Ismail Kadaresë.

Ndër vite, unë bleva edhe të tjerë libra të Kadaresë me botime të pastra e tërheqëse, nga romani i tij i parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963, i përkthyer në anglisht më 1971), mbi një gjeneral italian dhe ndihmësin e tij që kërkojnë në Shqipëri mbetjet e bashkatdhetarëve të tyre të rënë në luftërat botërore e deri te klasikë të tjerë, si “Prilli i thyer” (1978), mbi një burrë të zënë nga gjakmarrja, që zgjat me breza, “Kështjella” (1970), që përkap përplasjen mes shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, dhe të tjera.

Kadare fitoi “Neustadt International Prize” për letërsi. I ndarë nga Universiteti i Oklahomas dhe World Literature Today, “Neustadti” është më pak sqimatar se çmimi “Nobel” për letërsi dhe në rreth 50 vjet të tij ka pasur një vistër fituesish shumë më globale se zgjedhjet së tepërmi eurocentrike të bëra nga Akademia suedeze.

Kadare u lind më 1936 në Gjirokastër, Shqipëri, dhe studioi fillimisht në kryeqytet, Tiranë, e pastaj në Institutin e Letërsisë “Gorky” në Moskë, ku ai gjeti një mjedis të ashpër e kufizues. Ai nisi të shkruante qysh herët, duke botuar përmbledhjen e parë poetike në moshën 18-vjeçare e romanin e parë në moshën 27-vjeçare.

Në Shqipëri, Kadare luajti lojën e maces dhe miut me regjimin. Ai shkroi poema që e përnaltësonin Leninin për shkak se nën diktatorin Enver Hoxha, që e mbajti nën kontroll Shqipërinë deri më 1985, secili student duhej ta bënte një gjë të tillë, por ai shkroi edhe romane që e pezmatonin diktaturën. “Pallati i ëndrrave” (1981) përfytyronte një shtet që ia kushtoi një degë të tërë qëmtimit të ëndrrave të shtetasve, duke i sjellë më të mirat e tyre si kërcënime të rralla në vëmendjen e diktatorit. Vepra u ndalua më 1981 si e mbushur me “aluzione kundër regjimit”, aq shumë sa ishte e ndaluar madje edhe të shkruhej apo flitej për titullin e librit.

Kadare fitoi edhe çmimin “International Man Booker” më 2005, duke kërthndezur kundërthënie. Poetja rumune, Renata Dumitrascu shkroi se ai nuk ishte “kurrfarë Solzhenitsyni” – Kadare kishte qenë anëtar aktiv i partisë në regjimin e Hoxhës, dhe gëzoi privilegje që shkrimtarët e tjerë shqiptarë nuk i kishin. Por në një shtet katërcipërisht totalitar është e pamundur të jesh disident ideal. Ata që e ngrenë zërin tejet lart apo e përdorin lapsin e tyre si tepër lirshëm degdisen burgjeve, mund të vriten, ose nëse janë pak më me fat syrgjynosen. Shpesh, detyra e disidentit është thjesht të mbijetojë.

“Kurrë nuk e kam konsideruar veten as si hero e as si disident”, shkroi Kadare më 1998, në një shkëmbim letrash të botuar nga “New York Review of Books”. “Në Shqipërinë e Hoxhës, si në Rusinë e Stalinit, një disident i deklaruar me siguri do të shtypej”. Shumë prej romaneve të tij u ndaluan, siç ndodhi me poemën e tij të vitit 1974 “Pashallarët e kuq”, që mendohej se kishte humbur derisa u zbulua në arkiv më 2002.

Kadare më në fund braktisi Shqipërinë për t’u vendosur në Paris më 1990, duke kërkuar azil politik. Në Francë, ai mund të shkruante e të fliste më lirshëm, por ai ngulmon se shkrimi qëndron në të tijën, siç bëri edhe me një intervistë të vitit 2009: “Mendoj se shkrimi im nuk është më politik sesa teatri i vjetër grek. Do të isha ky shkrimtar që jam në çdo regjim politik”.

Në një shtet katërçipërisht totalitar është e pamundur të jesh disident ideal. Ata që e ngrenë zërin tejet lart apo e përdorin lapsin e tyre si tepër lirshëm degdisen burgjeve, mund të vriten, ose nëse janë pak më me fat syrgjynosen. Shpesh, detyra e disidentit është thjesht të mbijetojë. “Kurrë nuk e kam konsideruar veten as si hero e as si disident”, shkroi Kadare më 1998

Botimi i “Pallatit të ëndrrave” që e bleva në atë rruginë të ngushtë të Delhit ka kohë që ka humbur. Nuk ishte një kopje e hijshme – mbulesa e ballinës mungonte, faqet ishin të thyera si vesh qeni e të ndragura me shenja çaji. Por tani do të doja ta kisha atë si një përkujtesë mbi atë si i bëjmë historitë tona të leximit. Është diçka tjetër të zbulosh një autor nga një çmim, duke lexuar veprën e tyre sipas radhitjes së botimeve, e krejt tjetër gjë të zgjedhësh një libër nga një rrjedhë e pafundme bestsellerësh. Edhe pse për shumë lexues lidhja jonë me një autor vjen në një mënyrë rastësore, por të natyrshme.

Një librashitës e shton një roman tek një deng librash; nuk është libri që donit, por çmimi është i lirë; është i vendosur në një vend për të cilin s’dini asgjë; të intrigon dhe, ndër vite, e gjeni veten duke kërkuar gjithçka që autori i panjohur i dikurshëm ka shkruar.

Kadare më ka dhënë një masë të paqes me kuptimin që ka ai për blanat e lëna nga luftërat dhe perandoritë që janë më pak të qëmtuara. Në romanet e tij, njerëzit gjejnë lirinë dhe një çikje mirësie në çaste të shkurtra, edhe kur janë të kufizuara nga ligje të padrejta apo nga pushteti i tiranit. “Një shkrimtar mund të jetë i lirë në një botë të skllavëruar, apo ai mund të jetë i skllavëruar në një vend të lirë”, ka thënë ai në një intervistë në radio, më 2001. Ai e bën të qartë se zgjedhja është prore me ne.

Ky shkrim është botuar në “Financial Times” në tetor të vitit 2019. Përktheu: Salih Mehmeti