Kulturë

Kritika për “Zgjoin” si film që duhet parë në “Sundance Film Festival”

“’Zgjoi’ është një film tërheqës, përjetues, një film me momente të vogla që lindin nga forca e vullneti i aktores kryesore (Yllka Gashi v.j.) bazuar në një histori të vërtetë”, shkruan “CriterionCast”

Për shkak të pandemisë festivali pjesën me të madhe të programit do ta mbajë në formatin online, ku do të jenë të qasshëm për t’u shikuar dhjetëra filma. “CriterionCast”, ueb-faqe që publikon kritika të filmave dhe me të rejat nga kinematografia, u ka dalë në ndihmë ndjekësve të festivalit duke publikuar listën me filmat që nuk duhet lënë pa u parë në edicionin e sivjetmë. Në mesin e tyre edhe “Zgjoi” i Blerta Bashollit, i cili në këtë festival, të dielën, do ta ketë premierën botërore

Prishtinë, 28 janar – “Këtë vit, jemi duke i bërë gjërat ndryshe”, është motoja e edicionit të sivjetmë të “Sundance Film Festival”. Pandemia ka bërë që pjesa më e madhe e programit të festivalit të shfaqet në formatin online. Prandaj, pasi që me dhjetëra filma do të jenë të qasshëm online, “CriterionCast” si lehtësim ka publikuar një listë me pesë filmat të cilët nuk duhet humbur. “Zgjoi” i regjisores kosovare Blerta Basholli është në mesin e tyre.

Edicioni i sivjetmë i “Sundance Film Festival” ka nisur të enjten. E, “Zgjoi” do të ketë premierën botërore të dielën. Festivali këtë vit zgjat vetëm shtatë ditë dhe pjesa më e madhe e publikut do ta përcjellë atë larg nga epiqendra e tij, Park City në Utah të SHBA-së. Do të hapen vetëm disa kinema për vetura në rajonin e Los Angelesit, që nënkupton se nuk do ta ketë atë shkëlqimin nëpër rrugët kryesore nga audienca e etur për të zbuluar filma të rinj.

“Hajde të flasim për filma që ia vlen t’ua kushtoni kohën dhe paratë tuaja”, ka shkruar, “CriterionCast”, ueb-faqe që publikon kritika të filmave dhe me të rejat nga kinematografia.

Në vend të parë është “Taming the Garden”, nën regji të Salome Jashit. Dokumentari ndjek rrugën e pemëve që transportohen nga brigjet Gjeorgjisë drejt kopshtit privat të ish-kryeministrit. E vendin e dytë e zë filmi “Zgjoi” në konkurrencën zyrtare në “Sundance Film Festival”. Filmi për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin është i bazuar në ngjarje të vërtetë, në rrëfimin e Fahrie Hotit, që shpërfaq sfidat e grave në mungesë të burrave si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

“Duke iu atribuuar filmave të vëllezërve Dardenne, ‘Zgjoi’ është një film tërheqës, përjetues, një film me momente të vogla që lindin nga forca e vullneti i aktores kryesore (Yllka Gashi v.j.) bazuar në një histori të vërtetë, shpesh sjell me vete një atmosferë pak më sentimentale, por përkundrazi, tipari i parë i regjisores Basholli është një lojë me pasion, e strukturuar dhe e nuancuar, një ode e fuqisë së shpirtit njerëzor për të ngritur të tjerët përkundër traumave”, ka shkruar “CriterionCast”.

Fahrija nis të merret me bletë, por punët nuk i ecin mirë. Merr patentë shoferin dhe nis të shesë nëpër dyqane të ndryshme ajvar shtëpie. Me punën e saj sfidon traditat dhe prirjet patriarkale. Shpërfill fyerjet, thashethemet, me qëllim që të fuqizojë gratë drejt rrugës për të qenë të pavarura.

Përveç aktores Yllka Gashi, në film luajnë edhe Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami.

Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri, ndërsa producentë janë Agon Uka, Yll Uka dhe Valon Bajgora.

Bajgora ka thënë se një vlerësim i tillë i “Zgjoi” para premierës është një edhe një shtytje më shumë që publiku gjatë festivalit ta ketë në vëmendje filmin.

“Që nga fillimi nga mediat, por edhe kritikët e filmit kemi marrë komente pozitive. Ky vlerësim është i mirëseardhur, veçanërisht tani që jemi në prag të premierës botërore”, ka thënë ai. “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë.

Lista e “CriterionCast”, vazhdon me filmin “First Date”, nën regji të Manuel Crosby dhe Darren Knappit. Dokumentari që zë vendin e tretë sjell imazhe nga jeta e disa gjimnazistëve. Në vendin e katërt është filmi “We’re All Going To The World’s Fair” nën regji të Jane Schoenbrun, që tregon historinë e Kejsit, një adoleshente amerikane e sjellshme e që e kalon pjesën më të madhe në internet. Sidoqoftë, gjërat nuk janë siç duken. Ajo bëhet pjesë e një trendi ku njerëzit futen në lojë e linja midis realitetit dhe trillimit është e zbehtë. E, vendi i pestë i takon filmit “Ailey” nën regji të Jamila Wignot, që shtjellon jetën e koreografit dhe valltarit të njohur amerikan Alvin Ailey.

Vitin e kaluar në “Sundance” pati premierën “Exil” i regjisorit Visar Morina. Filmi – propozim i Kosovës për “Oscars” e që më 5 janar u konfirmua edhe si kandidat për nominim në “Golden Globe Awards” në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” – ishte edhe në garë në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition”.