Jo vetëm nostalgji për kinematë e vdekura të Ulqinit

Jo vetëm nostalgji për kinematë e vdekura të Ulqinit

15 June 2017 11:56

Në vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë të shekullit të kaluar kinematë kanë qenë pikë qendrore në jetën kulturore jo vetëm të Ulqinit. Nostalgjikët, që mendojnë se kinemaja nuk duhet të vdesë, me mall i kujtojnë ato.

Për fat të keq të gjitha kinematë e këtushme, në qytet dhe në fshat në Katërkollë tashmë janë degraduar, shkruan Gjekë Gjonaj, shkrimtar e veprimtar i kësaj ane. Këto pasuri të përbashkëta kulturore që ekzistonin dhe frekuentoheshin nga popullata vendase dhe vizitorët në kohën e monizmit, pas demokratizimit të vendit u mbyllën, për të mos u hapur deri në ditët e sotme. Shkatërrimin e kinemave artistët e qytetit e cilësojnë një bjerrje të kulturës. Një ngërç të madh kulturor. Një shenjë të humbjes së identitetit kulturor mbase janë të vetëdijshëm se ky segment i kulturës është shpirti që i jep frymë dhe identitetit.

e ish- kinemave të Ulqinit janë në gjendje të mjerueshme. Pamjet e tyre ( rrënojat) tregojnë momente të trishta. Panoramat e gjendjes trishtuese të kinemave të vdekura të Ulqinit shqetësojnë dhe trondisin të gjithë kulturëdashësit e këtushëm, të cilët shprehen se është për të ardhur keq që në këtë epokë të zhvillimit teknologjik vizioni i autoriteteve vendore dhe qendrore të jetë kaq primitiv, duke mos e kuptuar se kultura nuk është luks, por domosdoshmëri.

Dashamirët e këtushëm të kulturës janë të një mendimi se mungojnë politikat e zhvillimit të kinemasë. Sipas tyre qeverisja lokale në periudhën e tranzicionit gjithnjë është treguar indiferente, e paaftë dhe e painteresuar të stimulojë kulturën në këtë qytet, i cili bartë në vetvete kulturat dhe historinë e mijëra viteve civilizim dhe i cili pretendon të hyjë në listën e trashëgimisë kulturore të UNESKO-së. Ngecja në zhvillimin e kulturës justifikohet me mungesën e mjeteve buxhetore. Ky fakt qëndron. Por, ka edhe vështirësi të tjera të cilat kanë bërë që kultura në këtë qytet të ketë ngelur në margjina. Shkakun e ngecjeve në fushën e kulturës duhet ta kërkojmë në mungesën e një strategjie për zhvillimin e kulturës në këtë qytet, të cilën është dashur ta kenë që moti autoritetet vendore dhe ato të Ministrisë së Kulturës. Normalisht, kur mungon strategjia, atëherë mungon edhe zhvillimi. Pa sajimin e një strategjie për kulturën çdo gjë tjetër është e padobishme. Ky është hapi i parë i ndryshimit të politikave dhe qasjes ndaj institucioneve kulturore në këtë qytet. Në këtë rrafsh institucionet vendore dhe qendrore duhet të punojnë më shumë nëse mendojnë ta ndryshojnë fotografinë e përgjithshme të zymtë të kulturës, përfshirë këtu edhe kinematografinë.

Është për të ardhur keq që, në mungesë të kinemasë e teatrit, vakuumi i aktiviteteve kulturore është mbushur me kafenetë, lojërat e fatit dhe lotot sportive, të cilat jo vetëm nuk kontribuojnë në emancipimin qytetar, por hapin plagë edhe më të thella sociale, për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe godasin sidomos rinininë. Më shumë se kurrë të rinjtë kanë nevojë të ulen pranë njëri-tjetrit, të flasin dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin, ndërsa kinemaja është mediumi më i mirë për të arritur këtë. Prandaj do të ishte mirë që Ulqini të ketë kinema ku do të shfaqeshin dokumentarë edukativë, kulturorë e të tjerë, nga të cilët të rinjtë do të përfitonin më shumë se sa nga kafenetë dhe rrjetet sociale.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme