Kulturë

Amerika – botë e re për shqiptarët

Amerika – botë e re për shqiptarët
Capitol, Washington D.C., 1920
 

Si e gjithë bota mesdhetare, edhe shqiptarët iu bashkuan lumit njerëzor të emigrantëve që mësynë dy Amerikat. Me një histori që shpesh përhumbet në terrin e mungesave të burimeve historike, shqiptarët mund të jenë ndër popujt e parë që u namatisen nga Bota e Re dhe ëndrra e pashuar për një jetë më të mirë. Ajo që në fillim u vajtua si gjëmë për një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që linin vatrat familjare, brenda pak vitesh do të bëhej fuqia që do t’iu dilte në krah shqiptarëve mu në orën më të ligë të historisë. Prej Wilsonit te Roosevelti, nga Bushët e deri te administrata e fundit në Washington, Shtetet e Bashkuara u nyjëtuan me zhvillimet më të rëndësishme të historisë së re shqiptare

Në qindvjetshin e nëntëmbëdhjetë, Amerika po zbulohej edhe për shqiptarët si tokë e mundësive. Do të qëllonte si ironi e fatit që i pari shqiptar që u regjistrua në Shtetet e Bashkuara kishte një ngjashmëri, të paktën në emër, me Kolombon.

Nëpunësit e ftohtë që punonin në zyrat e ishullit Ellis, stacioni i parë para se emigrantët evropianë të lejoheshin të shkelnin tokën amerikane, shqiptarin që kishin përpara e regjistruan si “Nicholas Christopher”.