Kulturë

Përtej portreteve të zonjave të para

Portretet e bashkëshorteve të presidentëve – nga e kaluara deri më sot – na tregojnë goxha shumë për personalitetet e tyre, vlerat si dhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Kur Joe Biden u inaugurua më 20 janar, gruaja e tij, Jill, hyri në histori si e para zonjë që vazhdon karrierën e vet derisa i shoqi i saj është në zyrë. Ajo përvijon në gjurmët e shekujve të grave të mrekullueshme që kanë formësuar këtë rol të ndërliqshëm, gjithnjë në shndërrim dhe shpesh edhe kundërthënës. Mjaft shpesh e lënë në harresë, atyre u është dhënë skena kryesore në “Every Eye is Upon Me: First Ladies of the United States” në “The National Portrait Gallery” në Washington, dhe janë të qasshme për t’u shikuar online. Nga Martha Washington dhe Dolley Madison e deri te Eleanor Roosevelti dhe Michelle Obama, ekspozita kremton gratë që kanë përdorur statusin e tyre të përveçëm për të ndikuar ligjërimin politik e atë shoqëror nëpërmjet mënyrave të pafundme e të ndryshme.

Rrezatimi i një nëne të kombit

Si e para grua e një presidenti të ShBA, Martha Washington nuk kishte ndonjë pararendëse për ta ndjekur, dhe u mbështet në modelet evropiane kur e etabloi pozicionin e saj.

Kuratorja Gwendolyn DuBois Shaw thotë për BBC Culture: “Ngase nuk kishte kurrfarë tradite monarkie në Shtetet e Bashkuara, rolet që zonjat e para nisën të ndiqnin pasqyronin atë që kishim pranuar si të nënshtruar kolonialë të britanikëve. Kur Martha Washington dilte faqe publikut, njerëzit e quanin atë Zonja Washington, për shkak se kjo ishte gjuha që kishin trashëguar kur i referoheshin një gruaje të staturës së saj. Në të vërtetë ne nuk nisëm t’i quanim zonjat e para me këtë emër deri në fund të shekullit të 19-të”.

Në një portret të pikturuar kur ajo dhe George jetonin në Philadelphia, kryeqytet i asokohshëm, Martha duket se rrezaton ndjesinë e një nëne të kombit, mëmësore e sërish kërkuese e respektit për të cilin populli dukej i lumtur t’ia jepte asaj.

Pasrendësja e saj, Abigail Adams, inteligjenca dhe vendosmëria e së cilës rrezatonte nëpërmjet një portreti të bërë dy vjet para se i shoqi i saj, John Adams, të bëhej president më 1797, ishte politikisht më e gjallë, duke avokuar për të drejtat e grave, arsimimin dhe heqjen e skllavërisë.

“Ajo donte të quhej zonja Presidente, por njerëzit nuk e pëlqenin këtë gjë, ata mendonin se ajo ishte pak mendjemadhe”, thotë DuBois Shaw. Adams, sikundër shumë gra presidentësh, duket se jetonte në krah të burrit të saj. “Një numër i ndjeshëm i këtyre grave ishin vërtet të mençura, vërtet ambicioze dhe tejet të interesuara në politikë, por rolet gjinore e pamundësonin aftësinë e tyre për të ndjekur zyrën e vet deri në shekullin e 20-të”, thotë DuBois Shaw.

“Mary Lincoln ishte skajshmërisht e interesuar në politikë…ajo vërtet donte të ishte zonjë e parë ngase nuk mund të ishte presidente”, thotë DuBois Shaw. “Kur hyn në Shtëpinë e Bardhë, ajo merr një nam goxha të keq. Njerëzit flasin për të sikur ajo ishte mujshare dhe lakmitare, ajo lloj gjuhe që është e njohur sot për gratë në role të shquara në politikë dhe biznes. Ajo nuk do që të merret si dikush që merr erë nga politika për shkak të gjinisë së saj”.

Fuqia e butë

Image

Me asnjë mundësi tjetër për to, shumë Zonja të Para u mbështetën në fuqinë e “butë” që u jepte të qenit shoqëruese të presidentit. Dolley Madison, që shërbeu si nikoqire nderi te Thomas Jeffersoni para se të vazhdonte këtë rol kur i shoqi i saj James Madison u bë president, ishte veçmas e përmendur për zotësinë e saj diplomatike për t’i bërë kundërshtarët tok, dhe kultivoi miqësi strategjike si me politikanët meshkuj, ashtu edhe me gratë e tyre. “E gjithë kjo është historikisht e harruar, por kaq shumë u arrit përmes këtyre mënyrave nga gratë në shekullin e 19-të dhe fillim të atij të 20-të kur s’kishin të tjera mënyra për t’i vënë në jetë këto gjëra”, thotë kuratorja.

Fakti që Lincolni është përfaqësuar në ekspozitë nga një “carte de visite” dhe Madisoni nga një portret i bërë shumë vjet para se të bëhej zonja e parë është gjithashtu domethënëse për mënyrën pse u fshinë nga defteri.

“Historikisht, shumica e grave, edhe ato elitare, nuk i kishin të bëra profesionalisht portretet”, shpjegon DuBois Shaw. “Kur zonjat e para si Caroline Harrison, Lucy Hayes apo Helen Tafti zgjodhën të kishin sjellje të larta, portrete të gjera për vetën, ato po bënin deklarata të guximshme mbi atë se si e shihnin rëndësinë dhe rrjedhojat e tyre”.

DuBois Shaw veçon portretin e Julia Tylerit si veçanërisht domethënës për një personalitet të fortë. “Ajo dukej si një princeshë dhe ajo sillej po ashtu si e tillë. Ajo ishte përgjegjëse për vendimin për të interpretuar ‘Hail to the Chief’ kur i shoqi i saj, presidenti John Tyler, hyri në një ngjarje formale. Ajo po rrekej të krijonte një ndjesi të formalitetit mbretëror evropian dhe ta bënte Washingtonin si një vend oborri ashtu siç qe Versaja nën Luigjin XIV”.

Një forcë e natyrës

Ardhja e shekullit të 20-të e pa rolin e zonjave të para të bëhej gjithnjë e më shumë publik për nga natyra, me gjithçka që sjell kjo. Gjersa pozita mbeti e papërcaktuar, shtypi dhe opinioni publik shpeshherë ishin të ndarë mbi atë se çfarë duhet të jetë saktësisht një zonjë e parë, ndarje që ndikoheshin edhe nga debatet e gjëra mbi pozitën e gruas në shoqëri.

Eleanor Roosevelt ishte pa mëdyshje një prej zonjave të para më të dukshme e më me ndikim gjatë shekullit të kaluar. Me lëvizshmërinë e kufizuar të Franklin D. Rooseveltit nga paraliza që e kishte zënë, Eleanori shpesh bënte paraqitje publike në vend të tij.

Në kulmin e Depresionit të Madh, ajo udhëtoi gjithandej për të vlerësuar programet e ndihmës federale dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore fluturoi kudo në botë për të vizituar ushtarët. Karriera e saj e larmishme si shkrimtare e ndihmoi edhe më personalitetin e saj publik dhe shpjegon pse ajo shpesh paraqitej duke mbajtur një penë, sikundër në pikturën shumë-imazhëshe që përkap shumë anë të personalitetit të saj. Por ndonëse ajo mbahet mend si një forcë e pathyeshme e natyrës, në kohë të saj kishte kritika mbi nivelin e saj të ndjesuar të ndikimit. DuBois madje ndeshi edhe një shenjë të një fushate të demokratëve që thoshte: ‘As ne nuk e duam Eleanorin’ gjatë kërkimit për ekspozitë. “Ideja që ajo doli nga vija u përdor nga vetë partia e saj”, thotë ajo.

Mamie Eisenhower, e pikturuar në shenjën e saj “Mamie pink” me fustanin e përurimit, dukej që i shkonte shumë më shumë idesë se një mediumi konservativ të pasluftës për zonjën e parë.

“Janë gratë prapë në kuzhinë, Dior New Look”, thotë DuBois Shaw. “Njerëzit e donin ngaqë ajo përfaqësonte këtë amvisëri të bardhë, të klasës së mesme, që po shtyhej vërtet nga media dhe makina kulturore që thelbësisht donin ta kthenin orën prapa”. Por me gjithë imazhin e saj të jashtëm, ajo nuk kishte frikë nga sfidimi i konvencionit, duke ngulmuar që fëmijët afro-amerikanë duhej të lejoheshin të merrnin pjesë në lojën e vezëve në Shtëpinë e Bardhë prej së cilës ishin përjashtuar më parë.

Thyerja e tabuve

Image

Pa iu dridhur qepalla ndaj sfidimit të konvencionit më e zëshme ishte Betty Ford. Politikisht progresive, ajo ishte pro zgjedhjes, amandamentit për të drejtat e barabarta dhe diskutonte pa teklif temat që më parë ishin tabu. Çiltëria e saj mbi kancerin e gjirit inkurajoi miliona gra të bënin kontrolle të gjinjve, duke shpëtuar pafund jetë gjatë procesit. Pasi e la Shtëpinë e Bardhë, ajo ishte po aq e çiltër për varësinë e drogës dhe alkoolit që zhvilloi pasi vuajti nga një nerv dhe kështu filloi me “Betty Ford Center”.

“Ne sot flasim për varësinë dhe shërimin ndryshe për shkak se ajo ishte aq shumë në ballë të sfidave me të cilat u ballafaqua në jetë”, thotë DuBois Shaw. Portreti vibrant i Fordit u pikturua më 1996, dy vjet pasi ajo dhe burri i saj morën Medaljen e Artë të Kongresit, një dëshmi e ndikimit të tyre në jetën amerikane, edhe pse DuBois Shaw beson se ndikimi personal i zonjës Ford shkon edhe më larg. “Ajo me të vërtetë pati një ndikim global në jetën e njerëzve”.

Po kaq si Elanor Roosevelti, Hillary Rodham Clintoni e gjeti veten duke u ballafaquar me një vërsulje nga ata që e vinin në dyshim nivelin e saj të ndikimit dhe ambiciet politike. Pasardhësja e saj, Laura Bush, me prapavijën e saj si bibliotekare e shkollës dhe me një fokus në programet për shkollimin e fëmijëve, ishte larg më e pranueshme për estabilishmentin kulturor të konservativëve.

Bush paraqitet me një buzëqeshje miqësore ndaj soditësit me një libër të hapur që e mban në prehrin e saj. Krejt ndryshe, Clinton shihet në profil të plotë, reminishencë e portreteve të Renesansës italiane për fisnikërinë. Padyshim që detraktorët e saj do ta konsideronin atë kryelartë, por mbështetësit e saj do të shihnin një grua besimplotë në aftësitë dhe vlerën e saj.

E pikturuar më 2006 kur frustrimet e Shtëpisë së Bardhë prej kohësh ishin lënë pas dhe beteja për presidencën ishte disa vjet përpara, ajo u rizgjodh si senatore për New Yorkun, duke u bërë gruaja e parë që e mbajti këtë pozitë.

MST: Popullariteti larg politikës

Pavarësisht se vinte prej një prapavije të ngjashme me Clintonin, mungesa e interesimit të Michelle Obamas në politikë e bëri atë larg më popullore si zonjë e parë. Padyshim e vetëdijshme për domethënien kulturore e historike të të qenit gruaja e të parit president afro-amerikan, të dy Obamat zgjidhnin artistë zezakë për t’i bërë portretet e tyre. Portreti i Amy Sheraldit, i lavdëruar nga presidenti Obama se kishte fiksuar mirësinë, bukurinë, inteligjencën dhe hijeshinë e gruas së tij, mori gjithashtu vlerësime kritike dhe ishte goxha popullor te vizitorët e muzeve. DuBois Shaw e sheh lidhjen që formuan Obama dhe Sherald si kyçe në suksesin e pikturës. Qëndrimi i Obamas si zonjë e parë nuk mund të largohet më shumë prej Melania Trumpit, e cila do të mbahet mend kryesisht për dekorimet e saj trazuese të Kërshëndellave dhe ridizajnimin kundërthënës të trëndafilave në kopsht.

Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në Washington, dikush mund të pyes se çfarë do të ndodhë me portretin e saj zyrtar. Jill Biden do të jetë një banore krejt tjetër e rolit dhe padyshim që portreti i saj do të yshtë interes të madh. Por me gjasë jo interesim aq të madh sa për atë të pararendësës së saj. Nëse Kamala Harrisi ndjek hapat e Joe Bidenit dhe bëhet presidente, ne do të kemi në Doug Emhoff subjektin e portretit të parë të një zotërie të parë.

Marrë nga BBC-ja. Përktheu Salih Mehmeti