Kulturë

Mustafa Arapi – mjeshtri që u dha shkëlqim Onufrit e kryeveprave shqiptare

Tek të gjithë linte përshtypjet më të mira të një zotërie sharmant e me plot dije. Me shallin në grykë që i jepte një sqimë prej bohemi, Mustafa Arapi ishte një nga mjeshtrit më të mirë të restaurimit në botën shqiptare. Arsenali i kulturës shqiptare i detyrohet përgjithmonshëm atij për restaurimin e qindra metrave katrorë afreska në kishat ortodokse gjithandej Shqipërisë. Prej duarve të tij, Onufri dhe plejada e artistëve shqiptarë morën shkëlqimin e vërtetë

Prishtinë, 21 janar – Dora e tij prej restauruesi është kudo ku janë kryeveprat e artit shqiptar. Falë tij, Onufri, Qiprioti, Çetirët, Zografët ashtu sikundër edhe një numër ikonash e afreskesh fituan shkëlqimin e merituar në panteonin e kulturës shqiptare.

Me një profil solid prej restauruesi dhe piktori, Mustafa Arapi ishte një nga emrat më të respektuar në mileun artistik shqiptar: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e pranë arbëreshëve.

Në mesnatën e së enjtes, mjeshtri i shquar në moshën 70-vjeçare ka humbur jetën në betejën fatalisht të pamundur me virusin COVID-19.

E bija e tij, Dorina Arapi, ka dhënë lajmin e pikëllimtë për familjarët, miqtë dhe të afërmit.

“Sot në mesnatë, babi im u largua nga jeta! Drita, dielli, bota, shtylla e familjes sonë u shua. Ba! Dua të të kujtoj kështu të qeshur gjithmonë! Të duam përjetësisht”, ka shkruar Arapi.

Lamtumira e fundit iu dha po të enjten në varrezat e qytetit, në Tiranë, në praninë e pak familjarëve për shkak të gjendjes me pandeminë.

Para afro një jave, Mustafa Arapi ishte shtruar për trajtim në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Vetë e bija e tij, Dorina Arapi, studiuese pranë Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, kishte kërkuar vëmendjen maksimale të shtetit për të atin e saj. Megjithëse sipas mantelbardhëve ai kishte pasur fillimisht përmirësime, madje kishte nisur të bënte edhe ushtrime të frymëmarrjes, një komplikim në orët e mesnatës ka bërë që të ndryshonte fatalisht gjendja e tij klinike.

Për miq e kolegë të artistit, “Faja”, siç e quanin miqësisht, ishte një shembull i përveçëm i restauruesit dhe piktorit të nuancave ngjyrore që tejçojnë rrezet e diellit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Arapit si lajmin më të hidhur të mëngjesit të së enjtes.

“Prej tani e ndiejmë mungesën e madhe të një mjeshtri, që mbajti në jetë shenjtorët e pikturuar nga Onufri, Çetirët, Zografët… Trashëgimia jonë kulturore humbi një nga mbrojtësit dhe ruajtësit e saj më të pasionuar”, ka shkruar ministrja Margariti në faqen e saj në “Facebook”.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore e ka mbiemërzuar Arapin si një profesionist të shkëlqyer, një personalitet nga më të pikasurit në fushën e artit, pikturës dhe trashëgimisë kulturore, si dhe piktor i njohur brenda e jashtë Shqipërisë.

“Largimi nga jeta i Mustafa Arapit është jo vetëm trishtim, por një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për trashëgiminë kulturore shqiptare. I paharruar qofsh për të gjithë, Mustafa Arapi! E paharruar qoftë Jeta dhe Vepra jote!”, thuhet në ngushëllimin e IKTK-së, në tekstin e të cilit është ndajshtuar edhe një jetëshkrim profesional i të ndjerit.

Me një peng në zemër për një mesazh që ngeli pa përgjigje, skenografi Bashkim Zahaj ka vlerësuar se ndarja nga jeta e mikut të tij është një dhimbje e pamasë për një artist të dimensioneve të pafundme.

“Do ngelësh në veprat e pafund që na dhurove, në afreskat që restaurove e në kujtesën tonë studentore si shembull frymëzimi”, ka shkruar Zahaj.

Edhe kolegu i tij i profesionit, Adrian Devolli, ka shprehur dhembje për artistin e njeriun e mrekullueshëm që nuk jeton më.
“Shqipëria humbi një artist brilant, një restaurator dhe studiues me vlera të mëdha. Mua më humbi miku, shoku, vëllai im, m’u shkul gjysma e shpirtit tim”, ka shkruar ai.

Në emër të Shoqatës së Restauruesve Shqiptarë, studiuesi Fredrik Stamati ka vlerësuar se “Faja” ishte një model studimi i artit të pikturës në Shqipëri, por edhe përcjellës i njohurive te studentët.

“Ai studioi sidomos Onufrin, duke u bërë njohësi më i mirë i tij. Vepra e Mustafait do të mbetet si një pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Stamati.

Arkitekti i njohur, Artan Shkreli, duke e përkujtuar bashkëpunëtorin e tij në vepra restaurimi, ka thënë se “syri dhe dora e tij e pazakontë u jepte atë ‘touch’ gjenialiteti edhe afreskave që konsideroheshin të parestaurueshme”.

Vargut të ngushëllimeve i janë shtuar edhe ato nga Kosova e Maqedonia. Drejtoria e Kulturës në Komunën e Mitrovicës ka vlerësuar se Arapi ishte një nga emrat më të njohur të artistëve kreativë.

Në telegram kanë përkujtuar se i ndjeri ishte mirëpritur shpesh në Mitrovicë, duke qenë i pranishëm në “Mitrovica Art Colony”, si dhe në ekspozitën mbarëkombëtare “Çmimi Kadri Kadriu”, në të cilën u shpërblye me çmimin e parë.

“Mustafa Arapi do të mbetet përherë një emër inspirues për gjenerata të reja të piktorëve, por edhe artistëve të të gjitha zhanreve”, thuhet në telegramin e Komunës së Mitrovicës.

Ndërkaq, “Galeria Qahili” ka kujtuar se kishte qenë nikoqire e ekspozitës personale të tij “Relax” në mars të vitit 2015.

Edhe Galeria e Arteve Pamore në Tetovë ka vlerësuar se Arapi do të jetë emër frymëzues për brezat e rinj të komunitetit artistik.

“Mustafa Arapi ka qenë pjesëmarrës ndër vite në Kolonitë Artistike, mik i Galerisë sonë. Ai iku në përjetësi, por përmes veprave që ia la trashëgimi fondit të Galerisë së Arteve Pamore të qytetit të Tetovës, Mustafa Arapi do të jetojë gjithmonë”.

Sipas jetëshkrimit të afishuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Mustafa Arapi ka lindur më 23 korrik 1950 në Tiranë. Diplomoi në Akademinë e Arteve në vitin 1979 për pikturë.

Pas mbarimit të studimeve, ai dha kontribut të vyer në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë, si restaurues i veprave të artit bizantin, për t’u rikthyer sërish në pozicionin e shefit të Sektorit të Artit, po në Institutin e Monumenteve të kulturës në vitet 1993 – 2006.

Aktiviteti i tij profesional ishte mjaft i gjerë. Është autor i një numri të madh artikujsh me karakter të mirëfilltë shkencor.

Mbahen mend sidomos artikujt e botuar në revistën “Monumentet” si: “Konservimi dhe restaurimi i pjesës qendrore të ikonobartësit të kishës së Evangjelizmos të Kalasë së Beratit”; “Disa vlera të përftuara nga restaurimi i një vepre të Onufrit”; “Analizë mbi dy ikona të piktorit David Selenica”; “Onufër Qiprioti - Ikonograf i shekullit XVI – XVII”; “Nikolla, biri i Onufrit dhe jo i Onufër Qipriotit”; “Restaurimi i pikturës murale të realizuar nga Onufër Qiprioti dhe Alivizi, Foka në Kishën Shën Maria në fshatin Vrahogoranxi”; “Zbulime të reja mbi autorësinë në disa ikona”; “Konservimi dhe restaurimi i ikonobartësit të Evangjelizmosë në Kalanë e Beratit”; “Ecuri në ruajtjen dhe restaurimin e mozaikëve”; “Probleme të restaurimit të disa ikonave...” e të tjera.

Mustafa Arapi ka nxjerrë në dritë me qindra metra katrorë afreska, si në kishën e Shën Marisë në Leusë të Permetit, por edhe në Kishën e Shën Marisë në Vllahogoranxi, të piktor Onufër Qioriotit dhe Alivizit, të Kishës së Shën Thanasit në Karavasta edhe në shumë të tjera nëpër Shqipëri.

Arapi restauroi shumë ikona dhe tavane dekorative të kishave, si të kishës së Gjithëshenjtorëve në Himarë, të Shën Thanasit në Karavasta, të Shën Kollit në Grabovë, Kishën e Manastirit të Zvërnecit, ikonostasin e Leusës, e të tjera. Mustafa Arapi ka lënë gjurmën e tij edhe si dijedhënës i brezit të tij, duke punuar si profesor i pikturës në Akademinë e Arteve, nga viti 1985 deri më 1991.