Familja e fotoreporterit që mbahet në Siri duhet që të mbledhë miliona dollarë, pasi Qeveria daneze refuzon të negociojë
Gjatë këtyre viteve të fundit, kinematografia daneze ka dëshmuar se ka një aftësi të fuqishme për drama emocionale e të nuancuara, ku përfshihet spiunazhi, veçanërisht përmes realizimit të dokumentarëve me konflikte të jashtme. Frymëzuar në një rrëfim të vërtetë, nën regji të Niels Arden Oplev (që realizoi origjinalin e “Girl With the Dragon Tatto”), në mënyrë mjeshtërore i kombinon këto pika për të treguar rrëfimin e Daniel Ryet, një fotograf i ri danez i cili është marrë peng nga ISIS-i në Siri në vitin 2013.
Filmi është xhiruar në mënyrë gjarpërore, duke mbajtur kamerën në dorë – një lloj vule e stilit “Dogma 95” që krijon ndjesinë e një retrospektive – dhe gjurmon në mënyrë metodike rrëfimin e Danielit, duke vënë në pah mimikën e Esben Smed-it që ka pasur disa sfida fizike për këtë rol. Për fillim ai është dashur që të kalonte nëpër portretizimin e Ryes, që si i ri ishte një anëtar i ekipit danez të gjimnastikës, ani pse mesa duket një kaskader ka performuar pjesën më të madhe të akrobacioneve që shihen.
Në film, pasi që një dëmtim e shkatërron karrierën e Ryes si sportist, kalimi në profesionin e fotoreporterit e dërgon në Siri, ku bie në duart e ISIS-it, që ishte pak i njohur në atë kohë. Ata kërkojnë miliona dollarë për ta lëshuar, por Qeveria e Danimarkës u qëndron besnike politikave për të mos negociuar me terroristë.
Filmi ndërron lehtësisht para dhe pas zhvillimeve në mes të familjes së Ryes, që përpiqet të mbledhë para në shtëpi pa e bërë të ditur për mediat, dhe imazhet që e sjellin Ryen në Siri. Opleve nuk largohet nga përshkrimi i torturave dhe eksperiencave të vuajtjes të Ryes dhe shokëve të tij të zënë robër, si James Foley, gazetar amerikan, rasti i të cilit është një çështje ndërkombëtare.
Kushdo që ka ndjekur lajmet në atë kohë e di që tragjedia është përballë, por çështja kryesore këtu nuk është çfarë ndodh, por pse ngjan diçka e tillë. Ka empati për të gjithë ata që janë prekur nga konflikti, madje edhe në mënyra të çuditshme si për John (Amir El-Masry) gardiani i ISIS-it, me theks prej britaniku që ia bën ferr jetën Ryeit, por nga afër zbulohet se ai është harxhuar nga një lloj i dhimbjes psikike.
Ky është një film për një evropian të bardhë që e gjen veten në luftë në Lindjen e Mesme e që siç duket me vështirësi e kupton, por në terma të vet është një rrëfim i treguar mirë. “Daniel” prej 18 janarit është i qasshëm në platformat digjitale.
Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Alberina Haxhijaj