Kulturë

Komuna e Prishtinës zmbrapset nga lënia pa lokacion e Teatrit të Operës

Qysh prej vitit 2019, Komuna e Prishtinës ka vepruar në drejtim të kundërt me Ministrinë e Kulturës sa i përket lokacionit për Teatrin e Operës dhe Baletit. Por as institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka bërë ndonjë hap konkret për ta çuar përpara projektin më të madh kapital në infrastrukturën kulturore. Kësisoj ka ngelur që MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës të gjejnë një zgjidhje sa u përket projekteve të tyre. Kuvendi Komunal ka shtyrë miratimin e Planit Rregullues që përcakton se në vend të Teatrit, afër Fakultetit Teknik të zërë vend një kampus i ri universitar

Komuna e Prishtinës është zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacion e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e ka bërë Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e ekzekutivit që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik. Ministria e Kulturës është në procesin e rivlerësimit të projekteve për Teatër të Operës dhe Baletit, por Komuna ka të tjera synime pikërisht për atë zonë. Nëse i ndryshohet destinimi, Ministria e Kulturës tërthorazi ka paralajmëruar padi për Komunën.

Qysh prej nëntorit të vitit 2019, Komuna ka vepruar në drejtim të kundërt me MKRS-në. Por as institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka bërë ndonjë hap konkret për ta çuar përpara projektin më të madh kapital në infrastrukturën kulturore. Kësisoj, ka ngelur që MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës të gjejnë një zgjidhje sa u përket projekteve të tyre.

“Planit rregullues i hollësishëm për zonën e Fakultetit Teknik, në lagjen ‘Bregu i Diellit’” nuk ka kaluar të premten në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Shtyrjen e kësaj pike të rendit të ditës e kanë kërkuar disa asamblistë, përfshirë edhe Vlora Dumoshin, e cila njëherësh është edhe ministre në detyre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ajo ka thënë se prona në afërsi të Fakultetit Teknik është parcelë e caktuar për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit nga Kuvendi Komuna i Prishtinës qysh më 7 dhjetor të 2004-s. Ka treguar se më pas me një vendim të datës 29 tetor 2008 për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit paraprak, prona i është dhënë në shfrytëzim MKRS-së.

“Me këto vendime kjo parcelë i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm MKRS-së dhe është regjistruar në emër të MKRS-së. Në Planin zhvillimor urban është e destinuar për Teatër të Operës dhe Baletit e me Plan rregullativ që po diskutohet është ndryshuar. Nëse miratohet nga Kuvendi është e kundërligjshme. Është vepër penale”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Ajo iu ka propozuar kolegëve asamblistë që të mos e votojnë Planin rregullativ urban.

“Ne nuk jemi kundër ndërtimit të fakulteteve, por ajo parcelë është e madhe dhe mund të parashihen edhe ndërtime të tjera. Por prona që i dedikohet MKRS-së kërkoj nga ju që ajo të mbetet aty”, ka thënë ajo. E ka ftuar komunitetin artistik që ta ngrejë zërin për këtë çështje. Përfundimisht ka kërkuar që pika e rendit të ditës në lidhje me këtë çështje të shtyhet dhe më pas MKRS-ja dhe Komuna ta sqarojnë këtë çështje.

“Ne duam të flasim dhe të bisedojmë. Është interes shtetëror. Planet mund të ndryshohen dhe të plotësohen. Nëse shkojmë me padi nëpër gjykata mbetet pa u bërë Teatri i Operës dhe ndërtesat e Universitetit. Është interes shtetëror, andaj duhet të bisedojmë”, ka thënë ajo. Qëndrimi i saj është përkrahur nga shumica e asamblistëve. Sipas fletëve poseduese që MKRS-ja ka marrë nga Komuna e Prishtinës, parcela është pronë e kësaj ministrie.

Genc Bashota, drejtor i Drejtorisë për planifikim strategjik dhe zhvillim të qëndrueshëm, ka thënë se të gjithë e dinë që kërkesat e Universitetit të Prishtinës kanë qenë të vazhdueshme. Sipas tij, kërkesat janë bërë për një vit e gjysmë rresht.

“Më 5 shkurt 2019, vendimin e ka sjellë ky kuvend e jo ekzekutivi. Ka kaluar diskutimi publik. Banorët kanë rekomanduar që një bllok të jetë gjelbërim. Fakulteti e ka plotësuar këtë. Është mirë Zyra Ligjore të merret me çështjen e pronës. Në planifikim ne nuk i trajtojmë pronat. Nuk i dëgjojmë të gjithë pronarët çfarë thonë se asnjëherë nuk kishim bërë plane”, ka thënë ai. sipas tij, një pjesë e pronave janë edhe private, andaj universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” duhet t’i shpronësojë ato.

“Ka qenë një ndarje e lokacionit për sallën e operës dhe baletit. Jurist nuk jam por e di që edhe ndarja e lokacionit ka afatin e vet. Për 11 vjet nuk ka ndodhur asgjë. Ka qenë edhe një gropë të cilën e kemi mbyllur”, ka thënë ai.

Projekti për Teatrin e Operës dhe Baletit ka përplasur shumë gjatë institucionet qendrore dhe ato lokale sa i përket çështjes së lokacionit.

Në nëntor të vitit 2019, Komuna e Prishtinës pati njoftuar zyrtarisht për planin për krijimin e një kampusi të ri universitar afër Fakultetit Teknik. Kështu i ishte rënë vijë projektit që “Dr. Ibrahim Rugova” të zinte vend në këtë hapësirë.

Epilog i vetëm i takimit të zhvilluar në fillim të marsit të vitit 2020, mes ministres Dumoshi dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte qenë pajtimi për të mbajtur diskutime të hollësishme për projektet, ku implikohen Ministria e Komuna. Bashkëbiseduesit ishin pajtuar po ashtu që MKRS-ja t’i drejtohej Komunës me një letër, ku do të jepeshin detaje se deri ku ka shkuar procesi i tenderit për projektimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Ndërkaq sipas “Planit rregullues të hollësishëm për zonën e Fakultetit Teknik në lagjen ‘Bregu i Diellit’”, pikërisht në hapësirën ku Ministria e Kulturës planifikon ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, pritet të zënë vend objekti i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore e i atij Ekonomik.

Pas miratimit në parim nga Kuvendi Komunal, deri më 4 mars, ky plan kishte qenë në diskutim publik. Ndërsa nuk ka pranuar të komentojë planet e Qeverisë, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në gusht të vitit të kaluar kishte thënë se janë bërë diskutime publike në Kuvendin Komunal.

“Ne nuk kemi dashur ta mbajmë vendin peng qe 15 vjet me një vendim për caktim lokacioni. Prandaj, ne do të vazhdojmë me prezantimin e vendimit në Kuvend gjatë muajit shtator”, kishte thënë për gazetën Ahmeti. “Meqenëse kanë kaluar dy vendimet e mëparshme, pres që të kalojë propozimi pasi të merren parasysh edhe komentet e asamblistëve”. E Ministria që nga viti 2019 nuk po ia del që të vendosë për njërin nga tri projektet për Teatër të Operës dhe Baletit.

Në nëntor të vitit 2019 gazeta ka raportuar se nëpërmjet një procesi të mbyllur, komisioni i emëruar nga MKRS-ja në mënyrë unanime ka vlerësuar njërin projekt. Ishin dy projekte që ofrojnë tri objekte afër njëri-tjetrit, që të shfrytëzohen nga Opera, Filarmonia e Baleti. Kostoja e konkretizimit prej secilit prej dy projekteve arrinte në 45 milionë euro. Të dy variantet janë me 20 mijë metra katrorë hapësirë. Dalin të jenë problematike për t’i mbuluar financiarisht e edhe arkitektura e tyre del të jetë jo fort e përshtatshme për zonën ku planifikohej të ndërtohej, në parcelën afër Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.

Konkretizimi i projektit të tretë llogaritet të kushtojë rreth 35 milionë euro, pasi ka më pak se 20 mijë metra katrorë dhe strehon tri institucione. Ky projekt ka marrë votat unanime. Janë projekte të kompanive “Oneëorks & Spa & A”, “Chapmantaylor & Green Door” dhe “MVRDV”. Tash do të rivlerësohen.

Ministria e Kulturës me shkresat e qershorit të vitit 2018 dhe të tetorit të vitit 2019 kishte njoftuar Komunën për procedurat që po zhvillonte. Ky institucion bazohet në vendimin e vitit 2006, kur Komuna e Prishtinës kishte përcaktuar se parcela në lagjen “Bregu i Diellit” do të jetë vendi i Teatrit të Operës dhe Baletit.

I pari projekt i hartuar afro 15 vjet më parë, i nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann, ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.

Nga ajo kohë e deri më sot, nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit në vitin 2009 dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018, autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve.

Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018, autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve të Teatrit të Operës dhe Baletit, që ishte hapur në dhjetor të vitit 2009.