Kulturë

Shqipëria me kurse të shqipes në Tivar si përpjekje kundër asimilimit

Dikur Tivari konsiderohej si një nga qendrat kryesore fetare të Veriut shqiptar, madje zona me gjuhën e së cilës u shkrua “Meshari” i Gjon Buzukut, por sot shqipja është në prag të zhdukjes në viset veriperëndimore të Liqenit të Shkodrës, që bëjnë pjesë në Komunën e Tivarit. Organizim kursesh për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në Tivar, si dhe fushatë sensibilizuese për deklarimin e identitetit kombëtar në procesin e censusit të 2021 në Mal të Zi është paralajmëruar nga Tirana zyrtare, ndërkohë që njohësit e rrethanave kërkojnë urgjentisht angazhimin e të dy qeverive shqiptare për t’iu dalë zot shqiptarëve në Mal të Zi

Gjuha e Gjon Buzukut që hyri në histori me “Mesharin”, si libri i parë në shqip, nuk ishte tjetër përpos e folmja e banorëve nga Kraja, Shestani deri në Ulqin. E përmbysur del kjo gjendje sot ku shqipja e këtyre anëve është në prag të shuarjes, derisa gjithnjë e më shumë njerëz deklarojnë përkatësinë shqiptare. Me organizim kursesh në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Tivar, si dhe fushatë vetëdijesuese për deklarim të përkatësisë shqiptare në regjistrimin e vitit të ardhshëm, Tirana zyrtare po përpiqet t’i kundërvihet procesit mbi njëshekullor të asimilimit.

Pasditen e së hënës, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Gent Cakaj, ka njoftuar për ndarjen e ndihmave financiare për disa projekte.

“Në përputhje me përpjekjen tonë për t’iu dhënë mbështetje të gjithë shqiptarëve në rajon, veçanërisht atyre në Mal të Zi e në Luginë të Preshevës, kemi vendosur të ndajmë ndihmën financiare edhe në disa projekte sipas kërkesave të këshillave kombëtarë shqiptarë”, ka shkruar Cakaj në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Sipas kryediplomatit shqiptar, mbështetja ka të bëjë me “projektet për organizim të kurseve për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në Tivar, për fushatën sensibilizuese për deklarimin e identitetit kombëtar në procesin e censusit të 2021-s në Mal të Zi, projektin e ndihmës juridike falas kundër procesit të pasivizimit të adresave të shqiptarëve dhe disa propozime nga shoqëria civile e Luginës së Preshevës, për të gjallëruar punën e tyre të vyer”.

Veprimtarë nga këto anë prej vitesh kanë tundur kambanat e alarmit për shpopullimin e viseve të tëra në bregun veriperëndimor të Liqenit të Shkodrës, që dikur përbënte Krahinën e Shestanit në Krajë. Hiç më e mirë nuk paraqitet gjendja brenda qytetit të Tivarit.

Komuna e Tivarit – e cila ndahet në 12 njësi me gjithsej 83 vendbanime – sipas regjistrimit të bërë më 2011, kishte 42,048 banorë. Sipas të dhënave të “Monstat”, të bazuara në regjistrimin e bërë thuajse një dekadë më parë, në Komunën e Tivarit 2515 persona u identifikuan si shqiptarë (5.98 për qind). Ndërkohë, sipas po të njëjtit regjistrim, ata që e deklaruan shqipen si gjuhë amtare ishin 2738 persona (6.51 për qind).

Veprimtari nga Ulqini, Xheladin Zeneli, ka thënë se çdo mbështetje që vjen nga Shqipëria është e nevojshme dhe e mirëseardhur.

Në një prononcim për KOHËN, ai ka theksuar se deklarata e fundit e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në bazë të së cilës Tirana do të angazhohet për hapje të kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, është në përputhje të plotë me nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë për të drejtat e shqiptarëve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

“Shpresoj se një nismë dhe angazhim i tillë të mos jetë vonë, pasi që Tivari është shembull i një vendbanimi i cili dikur ishte me shumicë absolute shqiptare, por që, sipas regjistrimeve të fundit aty numërohen vetëm afro 6 për qind shqiptarë”, ka thënë Zeneli, ish-deputeti i parë shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, në fillimi të viteve ’90.

Sipas tij, kjo përqindje e shqiptarëve vjen kryesisht nga Kraja, vendbanim ky që konsiderohet si njësi territoriale e Komunës së Tivarit.

Zeneli, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se gjatë viteve të fundit ka pasur rritje të vizitave të përfaqësuesve të Tiranës zyrtare në trevat shqiptare në Mal të Zi.

“Por nëse këto vizita nuk mbajnë në vete vepra konkrete, si dhe ndihmë e përkrahje specifike të cilat do të kishin efekt pozitiv në kultivimin dhe avancimin e stutusit kulturor, gjuhësor dhe edukativo-arsimor të shqiptarëve në Mal të Zi, atëherë si të tilla do ta humbin efektin e vet”, ka vlerësuar ai.

Javën e kaluar MPJ-ja e Shqipërisë kishte bërë me dije se Tirana do të kontribuojë financiarisht për rindërtimin e shkollës fillore në Dacaj pas dëmtimeve të marra nga zjarri i rënë në muajin maj.

“Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur ta ruajmë e ta mbajmë të hapur këtë qendër domethënëse të arsimit shqip në Mal të Zi”, kishte thënë ministri Cakaj për të vetmen shkollë shqipe në Rozhajë.

Por të gjitha këto ndihma, bashkë me abetaret për filloristët shqiptarë në Mal të Zi, si dhe financimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, sipas Zenelit, janë veprime simbolike dhe si të tilla të pamjaftueshme për të pasur efekt afatgjatë.

Ai ka përmendur rastin e Qeverisë serbe, e cila, para pak vitesh, kishte ndarë 3.4 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Kulturore në Mal të ZI.

“Nuk shoh arsye se përse një vepër apo projekt i ngjashëm të mos e realizojë edhe shteti amë Shqipëria, për bashkëkombësit e vet, në një nga vendbanimet apo komunat me shumicë shqiptare në Mal të Zi”, ka theksuar Zeneli.

Sipas studiuesit të njohur Dhimitër S. Shuteriqi, Tivari, si qendër e moçme arkipeshkive, kishte prej shekujsh në vartësi ipeshkvitë katolike të Veriut shqiptar, duke qenë kështu edhe një qendër e rëndësishme kulturore.

Pas rënies së pushtetit Nemanjiq, në këto anë u fuqizua dera bujare e familjes vendëse Balshaj, ndërkohë që krejt këto vise përmenden dendur në burimet historike në përpjekjet antiosmane, që kulmuan me luftën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

I banuar me shumicë shqiptare, ashtu si pjesë të tjera të ultësirës veriperëndimore të Liqenit të Shkodrës, Tivari iu akordua arbitrarisht Malit të Zi më 1878, gjatë Kongresit të Berlinit.

Sipas studiuesit Jashar Rexhepagiq, në fillim të shekullit të 19-të, famullitarë të ndryshëm mbanin meshat latinisht, por epistolën, ungjillin dhe predikimin në shqip. Po ashtu, në fshatrat Shestan dhe Brisk, fare pranë Tivarit, ekzistonin shkolla për fëmijët shqiptarë.

Me t’u bërë pjesë e principatës së Malit të Zi, mësimi në shkollat qytetëse të Tivarit me rrethinë zhvillohej vetëm në serbisht. Se pas kësaj vinte asimilimi kishte paralajmëruar edhe gazeta “Shpnesa e Shqypeniis”, që dilte në Dubrovnik, dhe më 1907 në artikullin “Barabarësia e Malit të Zi dhe Kushtetuta e tij” kritikohej qeveria e knjaz Nikolës për moslejimin e shkollave shqipe. Sipas këtij artikulli, qeveria e Cetinës në Ulqin dhe Tivar, në fshatrat Triepsh dhe Koç (territorin e Kuçit), si dhe në krahinat Krajë e Shestan “nuk lejoi…të hapet për fëmijët shqiptarë madje as një e vetme shkollë fillore popullore shqipe”. Sot, Kraja përditë e më shumë po boshatiset.