Kulturë

“Europa Nostra” alarmoi për “Manastirin e Deçanit në rrezik” bazuar në raporte të Serbisë

“Raportet shtetërore për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës me seli në Beograd, janë dokumente të cilat organizata “Europa Nostra” i ka marrë për bazë kur ka alarmuar botën se Manastiri i Deçanit është në rrezik, e aty përmendet edhe “një përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i”. Në përgjigjet dhënë KOHËS për “Europa Nostran”, që Kosovës i referohet me fusnotë, këto dokumente zyrtare janë të pranuara edhe nga UNESCO-ja, ani pse aty Kosova është “Krahinë Autonome e Serbisë”

Raportet zyrtare të Serbisë, janë baza e renditjes së Manastirit të Deçanit në listën e “12 monumenteve më të rrezikuara të Evropës”, të përpiluar nga organizata “Europa Nostra”. Rol kryesor në këtë nominim kanë luajtur “Raporti shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës me seli në Beograd.

Ky Institut, i cili është institucion i Ministrisë së Kulturës dhe Informimit, përgatit raporte vjetore për gjendjen e katër monumenteve mesjetare të Kosovës që janë pjesë e listës së UNESCO-s për trashëgiminë kulturore në rrezik.

Në fillim të këtij muaji, “Europa Nostra”, organizatë e themeluar në nëntor të vitit 1963 në Paris e që numëron anëtarë nga 40 shtete, njoftoi se Manastiri i Deçanit qysh prej qershorit të vitit 1999 është duke u ruajtur nga KFOR-i. “Manastiri ishte target i sulmeve me granata nga ekstremistët lokalë në periudhën prej vitit 1999 deri më 2007, si dhe një përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i më 2016, duke shkaktuar një dëm lehtësisht të riparueshëm”, shkruhet në publikimin e kësaj organizate në ueb-sajtin zyrtar. Aty nxirren konstatime se “Manastiri bashkë me zonën e veçantë të mbrojtur janë duke u ballafaquar me kërcënime serioze sa i përket ambientit”. Kësisoj, Manastirin e ka futur në garë për listën e ngushtë të shtatë monumenteve më të rrezikuara të Evropës.

Por në përgjigjet që i ka kthyer KOHËS, “Europa Nostra” ka bërë të ditur se nominimi i Manastirit të Deçanit për listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara që do të shpallen në mars të vitit 2021, është bërë nga rrjeti evropian “Future for Religious Heritage”.

“Nominimi është bazuar në informata që janë të disponueshme për publikun, përfshirë raportet shtetërore për ruajtjen e monumenteve që janë të qasshme në ueb-sajtin e UNESCO-s, si dhe në bazë të bisedave me abatin e Manastirit të Deçanit”, shkruhet në përgjigjet që në emër të “Europa Nostra” i ka thënë zyrtarja Sara Zanini. I pari i murgjve ose abati i Manastirit të Deçanit është Sava Janjiq. Sipas organizatës evropiane, nominimi është filtruar nga paneli këshillues që përbëhet nga 16 anëtarë që janë ekspertë ndërkombëtarë nga e gjithë Evropa.

Në “Raportin shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës shkruhet se në vazhdimësi të kërcënimeve që i bëhen Manastirit është edhe mosheqja dorë e Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë. Në raportin e sivjetmë ceket se ministri i Kulturës i Serbisë në vitin 2018 për këtë çështje i ishte drejtuar UNESCO-s. Aty, po ashtu ceket se Manastiri vazhdimisht ruhet nga forcat e KFOR-it. Në raportet e viteve paraprake përmenden edhe “kërcënime” të vazhdueshme që i janë bërë Manastirit.

Raportet e institucionit serb janë përdorur për të shkruar edhe arsyetimin se përse “Europa Nostra” e ka listuar Manastirin si “monument në rrezik”.

“Plani hapësinor komunal lokal nuk është në përputhje me rregullat e rrepta të mbrojtjes për një trashëgimi botërore të UNESCO-s ose me ligjet dhe rregulloret përkatëse kombëtare. Ekziston një rrezik i vazhdueshëm i ndërtimit të objekteve të papërshtatshme urbane në afërsi të Manastirit, si dhe rreziku i shpronësimit të tokës që i përket Manastirit të Deçanit”, ka shkruar “Europa Nostra”.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për KOHËN është treguar krejt neutrale ndaj publikimit të organizatës evropiane.

“BE-ja e konsideron mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kosovës si të një rëndësie të madhe për të gjithë njerëzit e saj. Kjo vlen edhe për të gjitha vendet e mbrojtura nga Ligji për zonat e veçanta që ekzistojnë për të mbrojtur trashëgiminë fetare, kulturore dhe natyrore, përfshirë Manastirin e Deçanit”, shkruhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ministria e Kulturës e Qeveria e Kosovës kanë heshtur prej ditës së 10-të të këtij muaji kur “Europa Nostra” dha lajmin për renditjet e sivjetme.

Por në ditën e 17-të të këtij muaji, në adresë të kësaj organizate ka reaguar fondacioni kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosova). “Reagim lidhur me politizimin e mundshëm të trashëgimisë kulturore në Kosovë”, e ka titulluar letrën me të cilën i është adresuar.

Në reagimin e CHwB-së, “Europa Nostras” i bëhet me dije se Manastiri i Deçanit, si dhe dhjetëra lokalitete të tjera të trashëgimisë kulturore në Kosovë që janë të rëndësishme për komunitetin serb të Kosovës, janë pjesë e Listës të Zonave të Veçanta të Mbrojtura. Aty ceket se Kuvendi i Kosovës në vitin 2008 hartoi një ligj të veçantë që të “sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb, si dhe për komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës...”. Në reagim theksohet se ky ligj garanton përfshirjen e Kishës Ortodokse Serbe në Këshillin Zbatues dhe Monitorues, një organ i përbërë nga Qeveria e Kosovës dhe nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, që është themeluar për të monitoruar dhe lehtësuar implementimin e këtij ligji. Çështja e rrugës për të cilën është gjetur zgjidhje, përmendet nga Fondacioni. Po ashtu, në reagim “CHwB Kosova” bën të ditur se për çështjen e shpronësimit të tokës, mosmarrëveshja është midis Komunës së Deçanit dhe Kishës Ortodokse Serbe për një vendim të vitit 1997 të lëshuar nga regjimi i Milosheviqit, me qëllim të shpronësimit të tokës publike në favor të Manastirit.

“Sa i përket çështjes tjetër të ngritur në njoftimin për shtyp të lëshuar nga ‘Europa Nostra’ më 10 dhjetor 2020 në lidhje me ‘një tentativë për sulm terrorist nga ISIS në 2016...’ më lejoni t'ju informoj që ky incident u atribuohet parullave në mur në mbështetje të ISIS-it, autorët e të cilave nuk janë identifikuar asnjëherë, si dhe deri më sot nuk ka asnjë raport zyrtar nga institucionet shtetërore ose ndërkombëtare të sigurisë që konfirmon ndonjë prani të organizuar të ISIS-it në Kosovë”, shkruhet në reagimin e nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i “CHwB Kosova”, Sali Shoshi. “CHwB Kosova” ka bërë të ditur se është shumë e shqetësuar për faktin se shënimi i botuar nga Paneli Këshillues i “Europa Nostras” e ka lidhur mbrojtjen e lokaliteteve kulturore me bisedimet për dialog midis Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo mund të interpretohet si tendencë për të politizuar më tutje çështjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës në favor të një pale të përfshirë në bisedime. Është raportuar se Qeveria e Serbisë dhe mbështetësit e saj të përfshirë në bisedime, janë të prirë të krijojnë një situatë ku trashëgimia kulturore e Kosovës, e rëndësisë së veçantë për komunitetin serb të Kosovës, do të fitonte statusin e ‘extraterritorialitetit’ dhe kështu të përjashtohej nga juridiksioni i ligjit vendor”, shkruhet në reagim.