Kulturë

Një vepër arti për dy fëmijët martirë që i thërret ndërgjegjes kolektive

Një vepër arti për dy fëmijët martirë që i thërret ndërgjegjes kolektive
Vepra në kujtim të Miftar Hajdarit (11) dhe motrës së tij Ganimetes (15), të vrarë më 6 prill 1999, ka zënë vend në oborrin e shkollës “Sheqë Meroci” në Shtedim të Podujevës. Skulptura e realizuar nga Bedri Kadriu është e para e këtij lloji. Pos dedikimit për dy fëmijët martirë, i thërret ndërgjegjes kolektive se kujtimi dhe nderimi i tyre asnjëherë nuk kanë qenë në fokus institucional
 

Fshati Shtedim i Podujevës e ka dhënë një shembull të mirë sesi duhet përcjellë në gjeneratat e reja rrëfimi për luftën e fundit në Kosovë, duke e vendosur në oborr të shkollës një vepër arti që dokumenton rrëfimin e vëllait e motrës Hajdari, të vrarë në vitin 1999. Gjatë luftës janë vrarë 1034 fëmijë dhe 109 janë në mesin e të pagjeturve. Jo pak iniciativa të ngjashme nuk janë konkretizuar, për shkak të neglizhencës dhe vullnetit të zbehtë institucional

Në ditën e gjashtë të prillit të vitit 1999, njëzet familje do të strehoheshin në fshatin Shamalluk, buzë kufirit me Serbinë. Rreth orës 11:00 të asaj dite forcat serbe nisën të hedhin granata. Miftar Hajdari, 11-vjeçar, u vra. Pas një minute u vra edhe motra e tij Ganimetja, 15-vjeçare.