Kulturë

Teatri i Vushtrrisë merr emrin e Adem Mikullovcit në shenjë nderimi e krenarie

Teatri i qytetit në Vushtrri prej së enjtes ka marrë emrin e aktorit Adem Mikullovci. Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë ka miratuar propozimin që institucioni lokal teatror të jetë teatri “Adem Mikullovci”, për të nderuar aktorin me prejardhje nga Vushtrria, i cili u bë një prej emrave më të njohur në teatër e film e seriale.

Mikullovci vdiq në ditën e 15-të të shtatorit. Ai ishte 82 vjeç. Menjëherë pas vdekjes së tij, Komuna e Vushtrrisë kishte nisur procedurën për ta emëruar Teatrin e qytetit me emrin e Mikullovcit.

“Nga sot, Teatri i qytetit mban me krenari emrin e Adem Mikullovcit. Urime për emërtimin e Teatrit ‘Adem Mikullovci’”, ka njoftuar Fatmire Cecelia, drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Mitrovicës.

Propozimi për emërimin e Teatrit me emrin e Adem Mikullovcit ishte bërë nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri një ditë pas vdekjes së aktorit.

“Arsyetimin e bazojmë në kontributin e jashtëzakonshëm të tani të ndjerit Adem Mikullovci, në veprimtarinë e tij artistike, kulturore dhe politike përgjatë jetës së tij, e po ashtu duke e ditur edhe prejardhjen e tij nga qyteti ynë”, shkruhej në arsyetim. Por të enjten asamblistët vushtrrias kanë pasur para vetes tri propozime: Teatri i Qytetit, Adem Mikullovci dhe Xhemajl Cecelia. Por me 19 për Mikullovcin, 13 për Teatri i qytetit dhe asnjë për Xhemajl Cecelian, është vendosur që teatri ta ketë emrin e Mikullovcit.

Statuti i këtij teatri ishte miratuar në vitin 2014, në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë. Teatri funksionon në kuadër të shtëpisë së kulturës, “Hasan Prishtina”.

Me vdekjen e Mikullovcit bota e artit humbi profilin e aktorit tragjikomik, regjisorin e dramaturgun e shquar. Kurse politika mbeti pa delegatin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 e deputetin e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës. Rolet e Mikullovcit në teatër e film janë pjesë e kujtesës së brezave që përjetuan zhvillimin e Kosovës nën ish-Jugosllavi, okupimin e saj nga Serbia, e të Kosovës shtet. Si aktor e intelektual i pazëvendësueshëm, Mikullovci është kujtuar kur para Teatrit Kombëtar të Kosovës janë bërë homazhe përballë fotografisë së tij.

I lindur në Mitrovicë më 21 dhjetor 1937, në rininë e tij Mikullovci mendonte të studionte për letërsi e të bëhej shkrimtar. Pas studimeve në Akademinë për Teatër e Film në Beograd, më 1968, Mikullovci do të kthehej në Prishtinë. Ishte bërë pjesë e ansamblit rezident të aktorëve të atij që ishte Teatri Popullor Krahinor. Shfaqja e parë ku iu besua një rol ishte “Po shkoj për gjah”. E gjatë karrierës numëron 45 role kryesore e rreth 70 të tjera. “Duke pritur Godonë”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta”, “Fundi i botës”, “Miza në vesh” e “Erveheja” janë disa prej shfaqjeve ku ka luajtur Mikullovci. Si regjisor u shqua me shfaqjet “Pas vdekjes”, “Mosha e bardhë”, “Dan Shejtani”, “Engjëlli i stacionit”, monodramën “Bihorasit”, komedinë “Shtrati” e të tjera. Karriera e Mikullovcit prek edhe disa prej filmave ikonikë të “KosovaFilmit”, si “Proka”, “Kur pranvera vonohet” e “Era dhe Lisi”. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989, kur institucionet vendore ishin të boshatisura sa u përket shqiptarëve, Mikullovci gjeti një tjetër mënyrë për të qenë afër publikut. Përmes videokasetave ai zgjonte buzëqeshje te një popull nën okupim. E përmes prodhimeve filmike, si “Një pallto për babain tim në burg”, fliste për realitetin me të cilin përballeshin shqiptarët nën Serbi.

Emërimi i teatrove me emrat e aktorëve me nam tashmë është bërë traditë. Teatri i Mitrovicës në mars të vitit të kaluar ishte emëruar me emrin e aktorit, regjisorit e këngëtarit, “Muharrem Qena”. Në qershor të vitit 2017, Teatri i qytetit në Prizren ka marrë emrin e aktorit shqiptar me nam botëror, Bekim Fehmiu. Që nga paslufta, teatri i Ferizajt është pagëzuar me emrin Adriana, në nderim të aktores Adriana Abdullahu, e cila ishte vrarë në mars të vitit 1999 nga forcat serbe në Prishtinë. Teatri i Podujevës mban emrin e aktorit Avdush Hasani. Teatri i Gjakovës nuk mbante ndonjë emër deri në vitin 2017. Atë vit vdiq aktori nga Gjakova, Hadi Shehu. Kuvendi Komunal i Gjakovës kishte vendosur që prej shtatorit të atij viti Teatri që funksionon në kuadër të shtëpisë së kulturës, “Asim Vokshi” të mbante emrin e Hadi Shehut.