Kulturë

Publiku gjerman vlerëson “Zanën”, së shpejti në platformat prestigjioze

Lumja dhe Iliri ishin të lumtur dhe e donin njëri-tjetrin, por kjo ishte në të kaluarën dhe ajo periudhë ka mbetur veç kujtim. Lufta dhe vdekja e vajzës së tyre i ka tronditur. Rrëfimi i tyre dhe ndodhitë që vijnë më pas shpalosen në filmin “Zana” nën regji të Antoneta Kastratit. I qasshëm online jo më shumë se 48 orë dhe vetëm në Gjermani, arriti të marrë vëmendjen e publikut atje. Të dielën mbrëma ka marrë çmimin “goEast” të publikut në edicionin e 33-të të festivalit të filmit “Exground”. Regjisorja, Antoneta Kastrati, për KOHËN ka thënë se filmi do të vazhdojë shfaqjen edhe nëpër festivale të tjera. Ka shtuar se tani në plan e kanë edhe shfaqjen nëpër platforma të ndryshme për të arritur edhe te një publik më i gjerë.

Festivali, i cili edicionin e parë e pati në prill të vitit 1990, atëherë nën titullin “Exground on screen”, ndër vite është zgjeruar duke u shtrirë jo vetëm në qytetin Wiesbaden të Gjermanisë. Sivjet, nëpërmjet edicionit online, u shtri në krejt Gjermaninë. Ua mundësoi adhuruesve të kinemasë që të shohin online filmat që ishin pjesë e programit. Mirëpo, historia e çmimit që fitoi filmi i Kosovës “Zana” – që vjet ishte propozimi i Kosovës për nominim për “Oscar” në gjuhë të huaj – ka lidhje me një festival tjetër. Bëhet fjalë për Festivalin e Filmit të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore “goEast” që, po ashtu, mbahet në Wiesbaden të Gjermanisë.

“Exground” si një festival që beson në solidaritet mes festivaleve i kishte dhënë këtë vit hapësirë brenda programit të tyre edhe festivalit “goEast”, që ka një dekadë më pak se ta. Festivalit, që këtë vit edicionin e tij të 20-të e mbajti online iu dha mundësia që disa filma që i kishte në programin e sivjetmë t’i rishfaqte edhe në “Exground”. Në mesin e tyre ata kishin përzgjedhur edhe dramën kosovare, “Zana”.

Në edicionin online të “goEast”, të mbajtur në maj të këtij viti, ishin shpërblyer tre filma të Kosovës. “Zana” atëherë kishte marrë çmimin e televizionit “3sat”, dokumentari në zhvillim i More Raçës, “Home is where the films are” ishte shpërblyer me grantin për hulumtim “Renovabis Research Grant” e dokumentari i shkurtër “Në mes”, nën regji të Samir Karahodës, kishte marrë Çmimin kryesor në kategorinë e filmave të shkurtër.

“Zana” është një dramë ku personazhet përplasen me forca mistike, ankthe, besëtytni dhe magji. Filmi shpërfaq historinë e Lumes (Adriana Matoshi) dhe burrit të saj Ilirit (Astrit Kabashi). Lumja e ndjekur nga ankthet e natës dhe nga dështimet e shtatzënësisë dërgohet te magjistarë të ndryshëm ritualesh të pazakonshme me qëllim që ta shërojnë nga magjia e zezë, mirëpo kur ajo mbetet shtatzënë, kujtime të errëta nga koha e luftës do të kthehen duke i ndjekur atë dhe fëmijën e palindur.

Regjisorja e filmit, Antoneta Kastrati, ka thënë se secili çmim është i rëndësishëm pasi që vlerësohen puna dhe kualiteti i filmit. Çmimet, sipas saj, ndihmojnë që filmi të ketë audiencë më të gjerë.

“Por, çmimi i publikut është edhe më domethënës dhe i veçantë për mua, sepse publiku i gjerë e ka vlerësuar filmin. Filmi ka arritur që të përçojë mesazh tek audienca e kjo është më e rëndësishmja për mua”, ka thënë ajo. Ka treguar se “Zana” ka në listën e vet edhe disa festivale në të cilët do të shfaqet gjatë ditëve në vazhdim, por një risi tjetër për momentin ka shtuar se është më e rëndësishme.

“Çka është më e rëndësishme dhe risi është se ‘Zana’ së shpejti do të jetë në platforma online më të gjera, si ‘AMAZON’, ‘Itunes’, ‘Vimeo’ e të tjera. Lajmi do të bëhet publik shumë shpejt dhe kjo më gëzon, sepse publiku i gjerë e veçanërisht diaspora shqiptare do të ketë mundësi ta shohë filmin”, ka thënë ajo.

“Zana” pati premiera botërore më 7 shtator të vitit të kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto dhe që atëherë ka udhëtuar nëpër një varg festivalesh, duke rrëmbyer edhe çmime të ndryshme. Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se çmimet janë dëshmi e radhës për cilësinë e filmit.

“Ky është një konfirmim i vazhdueshëm i filmit ‘Zana’ në arenën ndërkombëtare, si një vepër me vlera të larta kinematografike që sjell dhe shtjellon një rrëfim personal në mënyrë jashtëzakonisht të zgjuar”, ka thënë ai.

Filmi është shfaqur në Festivalin e Filmit në Portland në SHBA, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Palm Springs në Kalifornia, ku mori çmimin “Buzz” si filmi më i mirë ndërkombëtar i metrazhit të gjatë, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Trieste në Itali, në Festivalin e Filmit në Goteborg në Suedi, “Crossing Europe Int'l Film Festival” në Austri, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në San Francisco, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Glasgow, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius në Lituani, Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Sydney ku mori çmimin e jurisë, në “Fantaspoa - International Fantastic Film Festival” në Brazil ku mori çmimin për aktoren më të mirë (Adriana Matoshi), e në Festivalin e Filmit në Tiranë u zgjodh filmi më i mirë.

Filmi me producent Casey Cooper Jonson është bashkëprodhim midis Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së, dhe financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.