Kulturë

Rrëfimi i ministrit gjerman Rudolf Scharping për luftën në Kosovë

Rrëfimi i ministrit gjerman Rudolf Scharping për luftën në Kosovë
Prill 1998: Gra dhe fëmijë të dëbuar nga Kosova në Kukës, Shqipëri. S’kishin gjë me vete pos rrobave në trup (Foto e Wolfgang Eilmes nga seria e fotografive me të cilat gazetari i njohur gjerman, Matthias Rüb, ilustronte shkrimin e tij për luftën në Kosovë, botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”)

Në mars të vitit 1999, NATO-ja vendosi të ndërhynte në luftën e Kosovës për të evituar spastrimin etnik, dëbimet dhe vrasjet masive të popullsisë shqiptare dhe për t’i dhënë fund luftës ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës, dhe ushtrisë serbo-jugosllave. Perëndimi synonte që përmes forcës ushtarake të detyronte qeverinë e Sllobodan Milosheviqit të tërhiqte ushtrinë, policinë dhe forcat paramilitare serbe nga Kosova. Pjesë e kësaj ndërhyrjeje ushtarake ishte edhe Republika Federale e Gjermanisë, që gjithashtu mori pjesë në sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë. Qeveria e kuqe-gjelbër vendosi të marrë këtë masë ushtarake duke iu referuar shkeljeve serbe të të drejtave të njeriut dhe fushatës së spastrimit etnik. Një vendim i vështirë. Në fund të fundit, jo vetëm që ishte në rrezik e ardhmja e rajonit të Ballkanit të mbingarkuar me kriza, por edhe vetë imazhi i Bundeswehrit dhe kështu i Republikës Federale të Gjermanisë.

Angazhimi i ushtarëve gjermanë në luftën e Kosovës ishte shprehje e procesit të ndryshimit, i cili pas ribashkimit të Gjermanisë ka ndodhur në mënyrë intensive. Për këtë zhvillim, sigurisht një rol kishte edhe ndryshimi i situatës politike ndërkombëtare pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim dhe rezulton nga kërkesat e ndryshme që vinin nga aleatët e Gjermanisë që të luajë një rol vendimtar. Kontributi ushtarak gjerman në operacionet e NATO-s, edhe pse nuk ishte i nivelit shumë të lartë, pjesëmarrja gjermane ishte e rëndësishme në kuptimin diplomatik dhe në ruajtjen e unitetit të shteteve anëtare të NATO-s në luftë kundër regjimit represiv të Beogradit.