Kulturë

NEWBORN-i ndërron mesazh, autori i monumentit do peticion për ta mbrojtur

Një strukturë druri bashkë me një pëlhurë të zezë ka mbështjellë tri shkronjat e para të Monumentin të Pavarësisë. E drejta për jetë, për arsim cilësor, përkujdesje shëndetësore, mbrojtje, privatësi e të drejta të tjera nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, bashkë me “Free of Covid” (Pa Covid), janë theksuar në veprën e cila prej pesë vjetësh ka statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme nga shteti. Por ideatori i NEWBORN-it ka tërhequr vërejtjen që ky monument të mos përdoret për aktivitete e instalacione

Dhjetëra evokime nga teksti i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve për dy javë do ta mbështjellin Monumentin e Pavarësisë në Prishtinë – NEWBORN. Pasditen e së enjtes, një poster i zi ka veshur tri shkronjat e para të monumentit me mesazhin kryesor “I Want to Be Born and Grow Up in a World Where I Have Rights” (Dua të lind dhe të rritem në një botë ku unë kam të drejta).

Këto kanë qenë përgatitjet e fundit për të shënuar sot Ditën Botërore të Fëmijëve – 20 Nëntorin – nëpërmjet një ekspozite të përkohshme.

Nëpërmjet një komunikate për media, organizatat “Save the Children” dhe “Syri i Vizionit” kanë njoftuar për fillimin e fushatës “Unë pa dhunë”, e cila ka për synimin ngritjen e vetëdijes për ndikimin e dhunës tek të vegjlit.

“Kjo vjen pas raportimeve të shumta shqetësuese të ngritjes së rasteve të dhunës në familje gjatë kohës së pandemisë COVID-19”, është thënë në njoftim.

Aty është thënë se këto aktivitete janë pjesë e fushatës “Rrite me dashni”, që financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

“Fushata ka për qëllim ta ngrejë vetëdijen për rëndësinë e respektimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë, duke u bazuar në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve”, përfundon komunikata.

Vlora Latifi, koordinatore në organizatën “Syri i Vizionit”, që është një nga organizatat e përfshira në projekt, ka bërë me dije se mbulimin e tri shkronjave të monumentit e kanë bërë pasi e kanë diskutuar paraprakisht idenë me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

“E gjithë biseda dhe pajtimi ka ndodhur në kontakt me përfaqësuesit e IKMM-së dhe në formë elektronike”, ka thënë Latifi për KOHËN.

Në institucionin vartës të MKRS-së, i cili jep leje për ndërhyrje në monumentet që kanë statusin e mbrojtjes nga shteti, kanë thënë se një komision ka shqyrtuar kërkesën e këtyre dy organizatave.

Avni Manaj, kryesues i komisionit të IKMM-së që shqyrton kërkesa të tilla për ndërhyrje, ka thënë se leja është dhënë pasi është konsideruar se ndërhyrja nuk e dëmton obeliskun.

“Komisioni e ka shqyrtuar lëndën dhe e ka miratuar mbajtjen e aktivitetit. Ndërhyrja nuk e prek drejtpërdrejt monumentin”, ka thënë Manaj nëpërmjet telefonit.

Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për një strukturë druri me një pëlhurë, në të cilën përcillen mesazhet e aktivitetit, e konstruktuar asisoj sa për të mbuluar vetëm tri shkronjat e para të monumentit.

“Monumenti nuk preket aspak dhe, pas një periudhe dyjavore sa zgjat aktiviteti, pëlhura do të hiqet dhe do të kthehet gjendja e mëparshme”, ka thënë Manaj.

E përdorimi i monumentit për afishe e instalacione artistike nuk i ka pëlqyer edhe aq Fisnik Ismailit.

Bashkëthemeluesi dhe drejtori kreativ i kompanisë “Karrota” ka thënë se parimisht është kundër aktiviteteve të tilla në këtë monument.

“Personalisht nuk më pëlqeu si ide, sepse kjo po e shndërron monumentin në billboard, pavarësisht se bëhet fjalë për një temë të ndejshme të cilin unë e përkrah”, ka thënë Ismaili. Ka kujtuar se edhe në të kaluarën vepra ishte shfrytëzuara për fushata të ndryshme kur zakonisht me magnet ishin ngjitur mesazhe të ndryshme.

Ideatori i shtatë shkronjave, me të cilat identifikohet lindja e shtetit më të ri në Evropë, po mendon edhe nismimin e një peticioni për monumentin.

“Do t’i kërkoj Institutit që tash e tutje të mos japë leje për aktivitete të tilla, madje do të ishte mirë edhe një peticion që të mos lejohen instalacione”, ka theksuar Ismaili.

Me një shkëputje disa centimetërshe nga plateja, NEWBORN prej gjysmës së muajit gushtit ka marrë një pamje të re. Brenda hapësirës ku ka qëndruar për dymbëdhjetë vjet me radhë, vepra me bazamentin e ri ngjyrë hiri është theksuar më shumë si monument brenda platesë ekzistuese në rrugën “Luan Haradinaj”. Me synimin për të bërë këtë ndryshim, Komuna e Prishtinës kishte filluar përpjekjet qysh në vitin 2018. Ndonëse i gjithë projekti kishte kushtuar 22 mijë e 245 euro, muajin e kaluar monumenti kishte pasur problem me ndriçimin e 14 dritave që janë vënë në të dyja anët e bazamentit. Pas raportimit të gazetës, mbikëqyrësit e kontratës kishin dalë në terren dhe ky problem ishte sanuar.

Prej 17 shkurtit të këtij viti, në 12-vjetorin e Pavarësisë, të shtatë shkronjat e monumentit kanë marrë një pamje të re. Në formë thirrjeje, mesazhi “Luftat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime dhe shpërfillje” (në anglisht “Never Ending Wars Bring Opression, Rape & Neglect”) është homazhi i sivjetmë për viktimat e abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës. Kështu në secilën prej shkronjave të ngjyrosura me të zezë është përfshirë në shqip dhe anglisht nga një rrëfim i shkurtër prekës ose fjali e mbledhur nga viktimat anembanë botës.

I inauguruar më 17 shkurt 2008, kur Kosova kishte shpallur Pavarësinë, obelisku menjëherë ishte shndërruar në brend të shtetit të ri. Për katër vjetët e parë të Pavarësisë, NEWBORN kishte pamjen fillestare me shkronja të verdha.

Më 2013-n, në pesëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, për herë të parë ndërroi pamjen kur do të ngjyrosej me flamuj të shteteve që deri atëherë e kishin njohur shtetin. Më 2014-n u “vesh” me uniformë ushtarake e në shkurt të vitit 2015, Fisnik Ismaili kishte ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in.