Jeta dhe vizioni i Edith Durhamit vjen në shqip nga “KOHA”

Jeta dhe vizioni i Edith Durhamit vjen në shqip nga “KOHA”

09 June 2017 17:23

Pas botimit të veprave të Edith Durhamit në shqip, lexuesi shqiptar do të mund të lexojë edhe një biografi të kësaj udhëtareje angleze.  

Është fjala për një biografi të shkruar nga autori Marcus Tanner, i cili ishte njohur me veprën e Durhamit më 1989, kur po përcillte si gazetar procesin gjyqësor të Azem Vllasit në Mitrovicë, transmeton emisioni Express në KTV. 

Mary Edith Durham ishte një antropologe dhe piktore angleze, e cila mes viteve 1901–1921, ka udhëtuar gjithandej trevave shqiptare, duke shpërndarë ndihma humanitare, duke pikturuar e fotografuar, duke mbajtur ditarë dhe duke e ndarë fatin e saj me shqiptarët. 

Durham do të bashkëthemelonte Shoqërinë e Miqësisë Anglo-Shqiptare, përveç se do të shkruante plot 7 libra dhe qindra artikuj për shqiptarët dhe çështjen ballkanike.   

I botuar nga KOHA dhe i përkthyer prej origjinalit nga Flaka Surroi, libri “Edith Durham: Mbretëresha e maleve” është një rrëfim plot admirim për anglezen që gegët e quajtën “Krajlica e Malevet”, e të cilën Mbreti Zog e dekoroi me Urdhrin e Skënderbeut. 

“Edith Durham: Mbretëresha e Maleve”, përtej të qenit një biografi, është një riaktualizim i tezave të Durhamit për shqiptarët dhe Ballkanin.

Për t’u njohur me figurën e Edith Durham dhe për të parë se sa i saktë ka rezultuar vizioni i saj për Ballkanin një shekull pas udhëtimeve të saj, kjo biografi nga Marcus Tanneri është libri i duhur, të cilin mund ta gjeni në stendën e Botimeve ‘Koha’ në Panairin e Librit.


Jeta dhe vizioni i Edith Durhamit vjen në shqip... by kohanet

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme