Kulturë

Teatri larg ndikimit të dikurshëm, por hapësirë që do të mbijetojë

Descriptive Text

Të dyja karrierën si aktore e kanë nisur në ish-Jugosllavi. Kanë luajtur në shumë filma e shfaqje. Bile, Mirjana Karanoviq, njihet si yll i kinematografisë jugosllave. E Jasna Gjuriçiq ka bërë bujë me rolet e saj gjithandej. Dikur besonin se kishin goxha ndikim në shoqëri dhe se arti mund të arrijë deri aty sa mund të bëjë ndryshime në masë.

Tash kanë hequr dorë nga ato iluzione. Synojnë që të jenë sa më përmbajtjesore në skenë e sheshe xhirimi. Janë të bindura se në ditët e sotme temat e mëdha mbulohen nga ato sipërfaqësore. Por, për të dyja teatri apo skena ngelen një vend i lirë.

E lindur në Beograd në vitin 1957, Mirjana Karanoviq fillimisht do të merrte “krahët” në artin e shtatë me rolin në filmin “Pejin Venac” nën regji të Srgjan Karanoviq në vitin 1980 për të vazhduar me dhjetëra role në kinematografi e teatër. Ndër të tjera, bëri bujë me rolin e saj në filmin “Grbavica” të Jasmila Zhbaniqit më 2006, ku ajo luan rolin e boshnjakes së dhunuar nga ushtarët serbë gjatë luftës në Bosnjë Hercegovinë. U quajt edhe antiserbe.

Si paneliste në diskutimin mbi rolin e teatrit dhe aktorëve në ngritjen e çështjeve të rëndësishme shoqërore, të mërkurën në kuadër të edicionit të tretë të “Kosovo Theatre Showcase”, ka thënë se të jesh aktore profesioniste për 40 vjet është e vështirë e sidomos në kohët e tashme. Në diskutimin e mbajtur në teatrin “Oda” në Prishtinë e që është moderuar nga kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, ajo ka thënë se gjithmonë besonte se nga aktorët ka pasur pritje të mëdha.

“Unë nga vetja kam pritur më shumë. Në vitet ‘90 kam menduar se kam guximin dhe fuqinë që të parandaloj gjërat e këqija që ndodhnin. Ishte mashtrim i madh për mua”, ka thënë aktorja e cila në vitin 2014 ka luajtur edhe rolin e gazetares së huaj Maria, në filmin “Tri dritare dhe një varje” nën regji të Isa Qosjes, ku paraqiten rrëfime të grave që kanë pësuar dhunë seksuale në luftë. Sipas Karanoviqit, mrekullia në të cilën ka investuar shumë energji nuk ka ndodhur, pasi ata që mendonin si ajo, ishin një pakicë.

“Sot jam më modeste në vizionin tim se çfarë mund të bëj. Nuk mendoj se jam superhero siç kam menduar. Sot ambiciet i kam në përmasa njerëzore”, ka thënë aktorja e cila në dekadën e fundit është fokusuar në punën e saj dhe rri larg tentimit për të influencuar të tjerët me pjesëmarrje në jetën publike. Për këtë ka një arsye.

“Sot angazhimi i secilit në publik është bërë në njëfarë mënyrë si një tregti e vogël. Tregti me popullaritet e sensacion të lirë. Fjalët me serioze lehtë shtrembërohen dhe plasohen në tregun e fëlliqur”, ka thënë Karanoviq, e cila më 2016 ka debutuar edhe si regjisore, me “Dobra žena” për të cilin ka shkruar edhe skenarin dhe luan rolin kryesor.

Një ditë pasi ka luajtur në shfaqjen “Balava” e cila e ka hapur edicionin e tretë të “Kosovo Theatre Showcase”, Karanoviq ka thënë se roli i teatrit ka ndryshuar në raport me dekadat e lëna pas. Sipas saj, kur ishte e re, shfaqjet bënin që të shpërthejnë polemika në shoqëri. Sipas saj, teatri nxiste diskutime në qarqe intelektuale e në kuvende deputetësh.

“Sot kjo nuk qëndron. Ekziston një trend që gjithçka të përmblidhet si sipërfaqësore. Një objekt i madh mbulohet me pëlhurë. Temat sipërfaqësore mbulojnë tema të rëndësishme. Tash shfaqjet janë shumë intime. Teatri dikur kishte fuqi”, ka thënë ajo. Duke marrë shembull shfaqjen “Balava” me tekst të Dunja Matiqit nën regji të Jovana Beloviqit, si shfaqje intime ka hedhur dyshime nëse kjo kohë do ta vrasë teatrin. Por më pas ka thënë se përgjatë shekujve kishte luftëra, sëmundje e shkatërrime, por teatri mbijetoi.

“Nuk do të zhduket pasi është diçka e gjallë. Njerëzit do të kenë nevojë që dikush i gjallë para tyre të thotë diçka. Po e shoh të ardhmen e teatrit në këtë hapësirë të mbrojtur e të veçantë ku publiku takohet me ne. Mua kjo më mjafton. Nuk dua më shumë. Nuk dua mijëra njerëz që më duartrokasin”, ka thënë aktorja e roleve në rreth 90 filma, fituese çmimesh ndërkombëtare ndër të cilët edhe atë për Aktoren më të mirë në “European Film Awards” më 2006 për rolin e Esma Haliloviqit në “Grbavica”, që atë vit mori “Ariun e Artë” në “Berlinale”.

Derisa ka folur për të ardhmen, Karanoviqi ka thënë se njerëzit në përgjithësi e kanë një ide të mjegullt sa u përket ditëve që vijnë. Sipas saj, duhet ditur saktë se çfarë duhet bërë dhe si. Është e bindur se aktualisht për të ardhmen e një shoqërie nuk janë duke u pyetur njerëzit e mençur. “Ne jemi të robëruar para vizioneve të rrejshme dhe nga njerëzit që nuk kanë vizion të së ardhmes por nënshtrohen nga vizione primitive. Kam shumë dyshime sa i përket së ardhmes”, ka thënë ajo, derisa ka shtuar se bëhet fjalë për një fjalim shumë intim e aspak politik. E pyetur se përse në krejt vendet e ish-Jugosllavisë konsiderohet si një yll, por jo edhe në Serbi, ajo ka thënë se kritikon njerëz dhe urrejtësit bëjnë shumë zhurmë derisa njerëzit e mirë dhe normalë nuk përfshihen në zhurmë.

Jasna Gjuriçiq në shtator të këtij viti ishte në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Venecia, ku u dha premiera botërore e filmit që bëri bujë, “Quo Vadis Aida?” nën regji të Jasmila Zhbaniqit nga Bosnjë e Hercegovina, një produksion filmik që trajton Masakrën e Srebrenicës. Gjuriçiq luan rolin kryesor, atë të Aidës, përkthyese për Kombet e Bashkuara. Filmi ishte nominuar për “Luanin e Artë” në edicionin e 77-të të Festivalit prestigjioz dhe është propozimi i Bosnjë e Hercegovinës për nominim për “Oscar”.

Gjuriçiq kishte nisur të marrë nam pikërisht në vitet ’90 kur edhe ishte bërë e ditur se ish-Jugosllavia nuk ka shpëtim. Ka thënë se rrugëdalja e saj ishte skena. Ajo është ithtare që aktorët gjithçka duhet ta thonë nëpërmjet skenës dhe shkrimit.

“Skena për mua është një hapësirë tejet serioze, ashtu edhe filmi dhe aktori skenën duhet ta trajtojë si një hapësira publike ku ka rast të kumtojë diçka. Aktori duhet të ketë kujdes për atë që thotë në skenë”, ka thëne aktorja e shquar e teatrit dhe filmit. E lindur më 1966 në Novi Sad, Gjuriçiq ka thënë se aktorët hyjnë në politikë ose merren me biznes pasi thonë se njëherë duan të bëjnë para e pastaj të merren me art. Por sipas saj, krejt këto janë kurthe.

“Teatri nuk mund ta shpëtojë botën. Por janë hapa të vogël te ne në skenë e te ju në publik. Është një ndërveprim. Unë dhe Mira (Mirjana v.j.) me kujdes zgjedhim materialin që do të punojmë. Është shumë me rendësi përmbajtja”, ka thënë ajo.

Në këndvështrimin e Gjuriçiqit, ajo u lind në Jugosllavi dhe vendi i saj ngelet Jugosllavia. Nuk llogarit se kalon kufij brenda shteteve që dikur i kanë takuar Federatës. E për të ardhmen, ajo nuk mendon fare. Ka thënë se dëshiron ta jetojë momentin, pasi së ardhmes nuk i dihet. Për këtë ka marrë shembull koronavirusin që ka goditur botën në mënyrë të papritur.

“Nuk urrej askënd dhe asnjë popull, por nuk i dua disa njerëz të vendit tim që kanë bërë të këqija”, ka thënë Gjuriçiq.