Kulturë

Pasuria audiovizuele e Kosovës larg digjitalizimit të domosdoshëm

E fshehur sirtarëve të mbyllur dekada më parë, jeton në errësirë skena kulturore e artistike e Kosovës së paraluftës. Në vjetërsinë e arkivave bashkëjetojnë kompozimet, radiodramat, dokumentarët e filmat që kanë qenë gurthemeli i skenës artistike të sotme. Këto vepra, shumë prej tyre të dala në dritë nga kabinat incizuese të Radio Prishtinës, kanë mbetur të harruara dhe nuk janë bërë pjesë e medias dhe teknologjisë moderne.

Të paqasshme për të rinjtë që nuk i kanë dëgjuar kurrë dhe në pritje të digjitalizimit për t’u dëgjuar përsëri, vepra të kompozitorëve, regjisorëve e artistëve të viteve të mëhershme, sot janë vetëm copëza nga kujtesa kolektive e shumë gjeneratave.

Si pjesë shumë e rëndësishme e historisë dhe identitetit të vendit janë cilësuar krejt këto, e risjellja e tyre në jetë nëpërmjet digjitalizimit ka qenë porosia e shënimit simbolik të Ditës Ndërkombëtare të Trashëgimisë Audiovizuele, të martën në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Me qëllim vetëdijesimin për ruajtjen e gurthemelit të skenës kulturore-artistike, kjo ngjarje nisi me thesarin e trashëgimisë audiovizuale të Kosovës, “Bareshën” e Rexho Mulliqit.

Interpretimi i përbashkët i kompozitorit Valton Beqiri në piano dhe Gent Hoxhës në çifteli, i parapriu fjalimit të ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshit, e cila ka thënë se gjatë këtij viti kjo ministri i ka shtuar aktivitetet në procesin e dokumentimit dhe digjitalizimit të ngjarjeve kulturore, artistike dhe shoqërore.

“Kjo ditë ofron një mundësi për ta rritur ndërgjegjësimin e përgjithshëm, nevojën për ndërmarrjen e masave urgjente, por mbi të gjitha për të njohur rëndësinë e dokumenteve audiovizuale, filmave, videoincizimeve si dhe programeve radiotelevizive. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që së bashku të ndërmarrim veprime, të dokumentojmë të kaluarën dhe të njëjtat t’i mbrojmë dhe t’i prezantojmë për gjeneratat e ardhshme, gjë që e kemi edhe për obligim”, ka thënë ministrja Vlora Dumoshi.