Kulturë

“PlayUK” hap dyert për depërtim në botën e videolojërave

“PlayUK” hap dyert për depërtim në botën e videolojërave

“Pauzojeni lojën dhe bashkohuni me ne!”, është motoja e edicionit të sivjetmë të “PlayUK” që do të nisë më 28 tetor. Dy ditë para se të nisë, organizatorët kanë bërë të ditur se do të sjellin sesione digjitale për të gjithë të interesuarit në industrinë e videolojërave, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u rritur në rajon. Diskutime me profesionistë të kësaj fushe dhe mundësi për të krijuar videolojëra janë vetëm disa prej pikave që do të shpalosen deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Një nga pikat kryesore do të jetë edhe diskutimi me realizuesit e videolojërave me nam, “I Am Dead”.

“PlayUK” është platforma e “British Council” që mbështet kreativitetin në artin digjital, duke ofruar qasje në shkathtësi dhe njohuri të reja dhe duke krijuar dhe forcuar ndërveprimin midis artit dhe teknologjisë. Përmes saj krijohen lidhje ndërmjet profesionistëve në disiplinat digjitale dhe arte nga Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.