Kulturë

Loja me folk e jazz për një kapitull të ri të muzikës shqipe

Descriptive Text

Dëshira, kurioziteti dhe dashuria janë tri motive që e mbajnë artisten Linda Rukaj të lidhur për botën muzikore. Këngëtarja, kompozitorja dhe multiinstrumentistja nga Shqipëria, e cila jeton në Paris, me të dalë në skenë i shpërfaq që të tria. Këndon me një dashuri të madhe për muzikën dhe kuriozitetin e saj e përmbush me elemente inovative që i inkuadron gjatë performancës. Interpretimi vjen natyrshëm. Kënga s’është vetëm një tekst – në një gjuhë të huaj ose në shqip – që shoqërohet me disa melodi që i ka mësuar. Për Linda Rukajn muzika është shumë më shumë. Këngët kanë një lidhje shpirtërore. U jep një lloj ngjyrimi gjatë improvizimit, që i bën të veçanta. Nuk ka lidhje në bëhet fjalë për jazz standard, pop apo folk.

“Mbi këtë pikë të zbehtë, blu në univers, njerëz me shans të tjerë krejt ters. Për të njohur tjetrin dhe vetveten në më të bukurin planet, në më të bukurin planet. Mbi këtë pikë të zbehtë, blu në të zi, për çdo lyps e mbret e vetmja shtëpi. Dy pole të kundërta tërheqin magnet në më të bukurin planet, në më të bukurin planet...”, janë vargjet e poezisë me të cilën Rukaj e nisi koncertin e saj në Prishtinë.

Të mërkurën mbrëma në kinemanë “Armata” interpretoi në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”.

Fillimisht solli kompozime në kontrabas, instrument ky që ia ka dhënë edhe epitetin e jazz-kontrabasistes së parë në Shqipëri. Pas këngëve që hyjnë tek ato që konsiderohen si jazz-standard, mori kitarën. Solli këngën “Fustanin që ta solla mbrëmë”, një këngë e vjetër qytetare dhe disa këngë në frëngjisht. Gjatë koncertit ka thënë se “Fustanin që ta solla mbrëmë” ia kujton çdoherë nënën e saj, e cila ia këndonte këtë këngë. Rukaj në vitin 2011 u zhvendos në Paris për të ndjekur studimet për muzikë. Gjatë qëndrimit atje brenda saj u ngjall me të madhe nostalgjia për familjen, vendlindjen e fëmijërinë. Në një mënyrë a tjetër, këtë boshllëk nisi që ta mbushte muzika shqipe.

E lindur në Kavajë, Linda Rukaj nisi të merrej me muzikë që në moshën 6-vjeçare, duke performuar në shumë festivale për fëmijë. Por atëherë nuk e kishte menduar se muzika do t’i kthehej edhe në profesion. Më shumë e shihte si një hobi e dashuri fëmijërore, por ndër vite kjo dashuri nuk u shua. Entuziazmi për të krijuar muzikë e mban akoma. Sigurisht është një kapitull tjetër nga ai që kishte nisur fillimisht, si vokaliste dhe kitariste në vitin 2008, me bendin “Linda në botën e çudirave” bashkë me Bledar Borakun në kitarë, Franc Kurtin në bas-kitarë dhe Erlind Hoxha në bateri. Përderisa atëherë ishte e dhënë më shumë pas muzikës eksperimentale, tani Rukaj si brumë për muzikën e saj e ka folklorin shqiptar.