Kulturë

“Nëpër Film” me të rejat nga skena vendore e ndërkombëtare

Lajme të shumta nga bota e filmit vendor dhe ndërkombëtar, janë pjesë e edicionit më të ri të emisionit “Nëpër Film”.

Sa i përket kinematografisë vendore, këtë javë emisioni fokusohet në disa informacione të cilat e kanë karakterizuar javën në Kosovë, si përzgjedhja e filmit “Exil” të Visar Morinës, si propozim i Kosovës për “Oscar”, triumfi i projektit të fundit të regjisorit Fatos Berisha, “Cirku Fluturues”, në festivalin e filmit “War on Screen” në Francë, ku u shpërblye me çmimin e jurisë “Grand Prix” dhe të tjerë. Ndërsa nga skena e filmit të huaj, këtë javë “Nëpër Film” fokusohet në projekte të ndryshme.

Në Hollywood po vazhdon shtyrja e datave të lansimit të filmave të shumëpritur nga publiku. Të radhës që e kanë shtyrë publikimin nëpër kinema janë filmat: “The Batman”, “The Flash”, “Shazam 2” dhe “Black Adam”. Sipas ekspertëve, këto ndryshime të lansimit të filmave nuk janë rezultat i drejtpërdrejtë i mbylljes së kinemave, por më shumë janë pasojë e vonesave të xhirimeve të shkaktuara nga pandemia.

Gjatë javës po ashtu u bë i ditur lajmi se dyshja shumë e suksesshme e kinematografisë, aktorja Gal Gadot, dhe regjisorja Patty Jenkins do të bashkëpunojnë sërish në realizimin e filmit “Cleopatra”. Ato shquhen për sjelljen në ekran të një prej superheroinave më të dashura të botës, përmes filmave “Wonder Woman”.

Ndër të tjera do të mësoni informacione të shkurtra edhe për disa projekte të reja, që tashmë janë lansuar apo pritet të publikohen së shpejti, si filmi “Horizon Line” dhe seria e “Netflixit” “The Crown”. “Nëpër Film” transmetohet çdo të diel nga ora 21:20 në Kohavision.