Kulturë

“FemArti” si provokim për solidaritet dhe qëndrueshmëri

“FemArti” si provokim për solidaritet dhe qëndrueshmëri

Kur flet për “FemArtin” e sivjetmë, Zana Hoxha, drejtoreshë e këtij festivali ndërkombëtar për artiste dhe aktiviste, e quan të jashtëzakonshëm. Në hapje të edicionit të 8-të, të enjten mbrëma, ka numëruar edhe disa arsye. Ky vit i vështirë, kryesisht për shkak të pandemisë së virusit COVID-19, i ka detyruar organizatorët të ndërrojnë jo pak plane. Përkundër sfidave, “FemArti”, që do të zgjasë deri më 20 tetor, fillimisht qe paraparë të mbahej prej 15 deri më 20 maj. Ishte thënë se përmes punëve artistike do të jepej një këndvështrim i ri për atë se çfarë do të ndodhte sikur gratë të kishin më shumë fuqi. Motoja kishte ardhur si inspirim nga një prej artisteve feministe më me ndikim në botë, Judy Chicago.

“Duke qenë se shumë shpesh përballemi me pyetjen se çfarë kërkojnë gratë më shumë sesa të drejtat që i gëzojmë, së paku në letër, ne kemi dashur që ta kthejmë pyetjen drejt publikut përmes performancave provokuese që do t’i prezantojmë në festivalin tonë”, ka thënë Hoxha për KOHËN. Pas pesë muajsh, motoja e atëhershme – “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!” – do të ndryshonte. Situata e krijuar në vend, por edhe në botë, i kishte shtyrë organizatorët ta ndryshonin qasjen. Kanë reflektuar mbi dy komponentë që, sipas tyre, janë në piedestalin e atyre që i duhen jo vetëm komuniteti artistik, por edhe njerëzve. Në këtë periudhë kur bota përballet me pandeminë, “FemArt” është në kërkim të qëndrueshmërisë dhe solidaritetit.