Kulturë

Njolla bojëkafe dhe gri

Pa bjeri njëherë tre herë, se më duket nuk e hap me dy, ndërhyn pacienti pas meje. Pas një pauze me gishtin në ajër si grep fadrome, e përsëris ndaras trokitjen, në distancë kohore mes një çoku dhe tjetrit e, fill më pas, edhe i treti…

- Hyr!

Hyj. Nga matanë bardhësisë së shpinës, sikur u përsëritet dy herë një fjalë që s’e rroka dot me të parën, nëmos gaboj diç me yll në mes! E teksa koka i anohet një çerekrrotullim, jam ende në kohë të pyes: urdhëro, doktor?

Ky kthehet i tëri, shtrin një trajtë buzëqeshjeje dhe më pyet në qeshë aty për sytë, apo për veshët?. Për sytë, i përgjigjem.

- Po mbylle pra, dreqin, pse s’e mbyll!

E mbyll syrin, shtrënguar fort qepallat, porse ai e ndehu më gjerësisht qeshjen e me kokë më tregon derën.

Ah, po, më fal doktor, kujtova se qe fjala për syrin. Kthehem ta mbyll, kur sakaq një dorë shkathtësie, që i përkiste dikujt që s’di pse po ma bënte me sy, e tërheq derën nga jashtë gjer në kërcitjen e gjuhëzës në kllapë.

-Çfarë problemi kishit? më qaset doktori, dhe njëherit shoh që mbante një gyp monokël në dorë, teksa tjetrën ia ndiej në supin tim. Pasi i them që e kam akoma, faktikisht, ai i mëshon pëllëmbës mbi sup që të ulem te një stol i gjatë, si të klubeve të natës.

- Kush është problemi? Çfarë ju shqetëson? Dhe, në pritje, e zgjat atë gyp ciklopik në lartësinë e syrit.

-Doktor, kam komunizëm nën njërën qepallë.

Ky i rrudh sytë, sytë e tij, bën një hap pas dhe pyet: si? nuk ju kuptova?

-Sapo i mbyll sytë për gjumë, doktor, ose dhe gjatë ditës, kur për provë e mbyll syrin e djathtë të shoh nëse komunizmi ka ikur, në realitet ai më shfaqet prapë mu aty.

-Kush shfaqet, si shfaqet, nuk po ju kuptoj?

-Është ajo ngjyra gri dhe ajo tjetra kafe e kostumeve, ndonjëherë dhe vetë kostumet, që më mbijnë në sy, pas pak zbehen si ndragie njollash, dhe pastaj shpërhapen, doktor, herë në vija rrjedhe e herë pykëzohen prapë. Ja tani, po zgjaten e pikëzohen si bacile, larva ose silueta të vogla satirësh me petka, dhe nuk shkulen që andej dhe…

-E qartë, e qartë. Është rast i rëndomtë për okulistin, defekti pikë e zezë, ma preu shkurt.

- Nuk besoj, jo se nuk ju besoj juve, nuk e kam hallin as që ju të besoni në mua, biles gati-gati nuk po pretendoj as të më shëroni. Nëmos, nuk keni as sesi të më vizitoni në fakt, sepse me sytë hapur ato nuk shfaqen, doktor, po sa mbyll sytë ama… mirëpo këtë e shoh vetëm unë. Ja, tani-tani më bëhet vendi miza-miza që ngjiten e kallen brenda kokës, si pas pamjes së prerë befas në ekranin atëhere, pasuar nga ai shiriti «rifillojmë së shpejti»