Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të mërkurën që Qendra Historike e qytetit të Shkodrës të jetë pasuri kulturore dhe përcaktoi zonën e mbrojtur, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit. Këshilli i Ministrave po ashtu vendosi edhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave.
Në këtë rast, Ministria e Kulturës është ngarkuar me punë që përmes strukturave të specializuara të përcaktojë zonat mbrojtëse të monumenteve të kulturës, të ndodhura brenda pasurisë kulturore. Po ashtu, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor është ngarkuar që të publikojë hartën e Qendrës Historike të qytetit të Shkodrës dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.
Qysh prej vitit 2008 shteti shqiptar ishte duke punuar për të marrë nën mbrojtje Qendrën Historike të qytetit verior. Atë vit Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër kanë përgatitur hartën e re të Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur ku kategorizohen sipas rëndësisë së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike, ndërtesat që i përkasin kësaj zonë.
Rregullorja për administrimin e Qendrës Historike është miratuar në vitin 2008. Objektivat kryesore të këtij studimi dhe Rregullores në zbatim të tij janë mbrojtja, konservimi dhe restaurimi i vlerave të trashëgimisë kulturore, historike, urbanistike, arkitektonike dhe mjedisore, administrimi i Qendrës Historike dhe zonës së mbrojtur.