Kulturë

“Kuzhina anasjelltas” për ushqimin që pasuron trashëgiminë kulturore

“Kuzhina anasjelltas” për ushqimin që pasuron trashëgiminë kulturore
“Kuzhina anasjelltas”, si programi i parë i platformës “GërrGërr”, për tri net ka përfshirë biseda mes folësve, që kanë ndarë perspektiva të ndryshme mbi interpretimet bashkëkohore të praktikave tradicionale të gatimit, si dhe prodhimit të ushqimit dhe të ekonomisë

Programi treditor i titulluar “Kuzhina anasjelltas” i mbajtur gjatë fundjavës në Prizren ka shqyrtuar praktikat lokale të gastronomisë, bashkë me diskutimet për ushqimin dhe prezantimin e kombinimeve eksperimentale të përbërësve ushqimorë. Ky program është realizuar në kinemanë “Lumbardhi”, përkatësisht në kuzhinën e saj verore, që është themeluar si një hapësirë për grumbullim, eksperimentim dhe shijim të ushqimit.

Njëherësh ka shërbyer edhe për lansimin e Platformës bashkëkrijuese “GërrGërr”, që sipas themeluesve inkurajon krijuesit, artistët dhe punëtorët në sektorin e kulturës të hyjnë në dialog me trashëgiminë kulturore për të prodhuar qasje, perspektiva dhe lexime të reja të artit, kulturës dhe historisë lokale.