Kulturë

Rehabilitimi i Qendrës Mesjetare – rilindje për Beratin

Qyteti i “një mijë dritareve” ka marrë pamjen e një kantieri pune. Restaurimi i objekteve kryesore të kultit, bashkë me paralajmërimin për rehabilitimin e Qendrës Mesjetare, janë vlerësuar si rilindje për Beratin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të hënën ka njoftuar për përfundimin e restaurimit të dy xhamive të qytetit dhe teqesë, sistemimit të hapësirave rekreative dhe lidhjen e një sheshi të ri të gurtë me lagjen muze.

I shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Rama, gjatë vizitës në Berat, ka vlerësuar se do të krijohet “një tjetër hapësirë e bukur për banorët, vizitorët e turistët, duke e rritur më tej vlerën e banesave, si edhe aftësinë tërheqëse të këtij qyteti xhevahir të trashëgimisë sonë kulturore”.

“I gjithë kyçi është bashkimi i këtyre dyjave ku do të hiqet asfalti aty dhe ajo godina do të shembet”, thotë Rama, teksa bën me dorë drejt objekteve kryesore në videon që ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook.

Ndërkaq ministrja Elva Margariti ka njoftuar se rehabilitimi i Qendrës Mesjetare do të jetë hapi i radhës.

Ajo ka thënë se është koha që astetet kulturore jo vetëm të ruhen e restaurohen, por edhe të rijetëzohen si një e mirë e përbashkët kulturore dhe ekonomike.

“Lajmi më i mirë, që ndajmë bashkë me kryeministrin është ngritja e Fondit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, i cili do të orientojë investimet në mënyrë efikase dhe prioritare”, ka shkruar Margariti në faqen e saj në Facebook.

Ndërkohë objektet historike në qytetin buzë lumit Osum sivjet, madje edhe në rrethanat e pandemisë, kanë qenë ndër më të frekuentuarat nga vizitorë të huaj e vendorë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare-Berat, Eugen Kallfani, ka bërë të ditur se vetëm Kalaja e Beratit që nga muaji janar e deri më tani është vizituar nga 16 mijë e 700 vizitorë, prej të cilëve 3 mijë e 532 ishin të huaj.