Kulturë

Mbi 70 projekte filmike nga Kosova e rajoni presin mbështetje nga shteti

Janë 71 projekte filmike që i janë adresuar Qendrës Kinematografike të Kosovës në konkursin e saj vjetor. Me 16 aplikacione të kineastëve të interesuar prin kategoria për zhvillim skenari, për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentar dhe të animuar. Një komision konkursi pranë institucionit kryesor të kinematografisë në vend është në fazën e fundit të shqyrtimit të secilit aplikacion.

Gjendja me virusin COVID-19 ka qenë sebep që QKK-ja të shtynte konkursin vjetor, i cili viteve të kaluara hapej në pranverë, transmeton KOHA.

“Megjithëse sivjet kishim të bënim me pandeminë, ne jemi të kënaqur me numrin e të interesuarve”, ka thënë Lum Çitaku, zyrtar për marrëdhënie me publikun në QKK, teksa ka bërë të ditur se numri i aplikacioneve të sivjetme është përafërsisht i njëjtë me atë të dy vjetëve të kaluar.

Ndërsa është duke u konsideruar elaborati i secilit projekt, gjatë javës së ardhshme QKK-ja do të themelojë komisionin financiar.

“Vetëm pas përfundimit të punës së dy komisioneve, do të emërohet një juri e pavarur vlerësuese, e cila do të shqyrtojë projektet që kanë plotësuar kriteret”, ka thënë Çitaku teksa ka njoftuar se pjesë e saj do të jenë edhe anëtarë ndërkombëtarë.

12 projekte kanë aplikuar në kategorinë e konkursit për film të metrazhit të gjatë artistik. Në garën për të përfituar nga mbështetja financiare e QKK-së janë projektet filmike: “Është vështirë të jesh gay, edhe kur nuk je”, me regji të Arben I. Kastratit, “S’ka mbetur fjalë pa u thënë”, me regji të Agim Sopit; “Tifozi i Jugosllavisë”, me regji të Bekim Seles; “Gabimi i Madh”, me regji të Lirak Çelajt; “Sonatë shiu”, me regji të Lorena Sopit; “Nëna”, me regji të Mentor Spahiut; “APPEL”, me regji të Ekrem Kryeziut; “2000: A Post-war Odyssey”, me regji të Zgjim Terziqit; “Personazh”, me regji të Ekrem Xanit; “Burek”, me regji të Ismet Sijarinës dhe “The Pixies”, me regji të Blerta Zeqirit.

Me një numër gati të njëjtë janë edhe aplikacionet e projekteve filmike në kategorinë për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik: “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, me regji të Gentian Koçit; “Everybody Calls REXHO!” i Ibrahim Dearit; “Këtu vallëzohet me hijet” i Pluton Vasit; “Koma” i Agim Abdulas; “Legjendat e Bastunit” i Xhozlin Ramës; “Mimi” i Darjan Pejovskit; “Our Schols are Different” i Toni Cahunek; “House Keeping for Beginners” i Goran Stolevcskit; “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Fatmir Koçit; “Iluzion” i Marta Minorowicz dhe “Escort” i Lukas Nolas.