Hapet zyrtarisht panairi i librit “Prishtina 2017”, KOHA me tetë tituj të rinj

Hapet zyrtarisht panairi i librit “Prishtina 2017”, KOHA me tetë tituj të rinj

06 June 2017 18:09

Është hapur edhe zyrtarisht panairi i librit “Prishtina 2017”.

Organizatorët e kësaj ngjarjeje kanë thënë se mbi një mijë tituj të rinj do të prezantohen në këtë edicion të Panairit, i 19-ti me radhë.

E shtandi më i vizituar në vitet e fundit, ai i Botimeve KOHA, vjen me tetë tituj të rinj enkas për këtë Panair. Kjo shtëpi botuese sjell vëllimin e tretë të shënimeve heretike të publicistit, shkrimtarit dhe politikanit Veton Surroi.

Pas veprave publicistike “Këmbët e Gjarprit” dhe “Ambasadori i Melkizedekut”, Surroi vjen me “Gorillat që s'i pamë”, që, siç përshkruhet, është edhe një kritikë ndaj klanit “Pronto”, ideologjisë së bullshitit dhe veprimeve që e kanë ringjallur Milosheviqin në Kosovë e Serbi.

Botimet KOHA në këtë edicion shpalos para lexuesve edhe titujt “Fillimi i një fundi”, me autore Majlinda Bregasin, vëllimin e katërt të veprës monumentale në shqip dhe anglisht, “Monument” të Artan Krasniqit, veprën e fundit të një prozatori të rrallë, “Historia e parrëfyer e mustaqeve të zotit president” nga Virgjil Muçi, biografinë fascinante “Muhamedi, një profet për kohën tonë”, shkruar nga historiania, ekspertja e religjionit, Karen Armstrong, “Mbretëresha e Malësisë”, vepër kushtuar Edith Durhamit nga Marcus Tanner, “100 Logot e Kosovës” të Luan Tashit dhe ribotimin e plotësuar të librit “Kufijtë në dëm të shqiptarëve” të autorit Zejnullah Gruda.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme