Kulturë

“Flag of Tomorrow” si paralajmërim i së ardhmes distopike

 

Artisti kosovar, Driton Selmani, ka përthekuar urgjencën e ditëve të sotme në një strukturë metalike e një shkrim të shkujdesur i fjalisë “Flag of Tomorrow”, që rrotullohet sa herë që erërat e Adriatikut fryjnë drejt saj. Vepra që nga 24 gushti ka zënë vend në qytetin bregdetar Omish të Kroacisë. Selmani përmes “Flag of Tomorrow” (Flamuri i së nesërmes) është bërë pjesë e festivalit dedikuar artit bashkëkohor “The Almissa Open Art”. “Flamuri i së nesërmes” ashtu siç ka thënë edhe Selmani për KOHËN, është një paralajmërim i së ardhmes distopike, duke vënë në pikëpyetje planet shoqërore për të nesërmen, pa e lejuar kthimin e se djeshmes tashmë të vjetërsuar. Skulptura kinetike, e realizuar me metal të salduar dhe mekanizëm rrotullues, e që ka dimensionet 250 me 300 centimetra pushon buzë bregdetit, në vendin që njihet si “Šetnica Ribnjak” (Shëtitorja e Pellgut).

Edicioni i sivjetmë i “Amissa Open Art Festival” ka pasur si temë “Urgjencën” si një formë e imponuar e kohës, por gjithashtu edhe një thirrje e vetëdijes. Festivali që këtë vit ka shënuar edicionin e 11-të, është riemëruar nga organizatorët sipas numrit të emergjencës 112. Diçka e tillë është bërë për të theksuar dy gjëra: analizimin e konceptit urgjencë, por gjithashtu edhe aftësinë e artit për të analizuar dhe iniciuar procese në të tashmen pulsuese. Edicioni i sivjetmë nisi më 21 gusht dhe përfundoi më 26 gusht, mirëpo vepra e Selmanit do të qëndrojë e ekspozuar edhe për një kohë më të gjatë në përputhje me ligjet komunale në fuqi dhe në marrëveshje me Komunën e Omishit.