Kulturë

“Në García Márquezin u lind një shkrimtar i ri dhe i shquar”

“Në García Márquezin u lind një shkrimtar i ri dhe i shquar”
“Fillimisht e mora vesh se dy të metat e mia të mëdha ishin dy më të mëdhatë e mundshme: ngathtësia e të shkruarit dhe injoranca ndaj loçkës së zemrës së njeriut” (Foto: Paco Junquera)

Shkrim i nobelistit kolumbian, botuar në numrin e tetorit të vitit 2003 në rubrikën “Histori personale” në revistën “New Yorker”

Një mendje më thoshte se ata që më flisnin për tregimin, më pak ishin mahnitur prej vetë tregimit – të cilin mbase nuk e kishin lexuar fare dhe po qe se e kishin lexuar nuk e kishin kuptuar – edhe prej vetë faktit se ishte botuar me një lavdërim të pazakonshëm në një faqe kaq të rëndësishme gazete. Ku dua të dal... Fillimisht e mora vesh se dy të metat e mia të mëdha ishin dy më të mëdhatë e mundshme: ngathtësia e të shkruarit dhe injoranca ndaj loçkës së zemrës së njeriut. Dhe, po, të dyja ishin fort të dukshme në tregimin tim të parë, që ishte një meditim konfuz, abstrakt, i përkeqësuar edhe më shumë prej abuzimit të emocioneve të sajuara.

Teksa po gërmoja thellë për situata nga jeta reale për tregimin e dytë, u kujtova se njëra prej grave më të bukura që kisha njohur si fëmijë më kishte treguar se sa shumë dëshironte të ishte brenda maces së këndshme që po e përkëdhelte në prehër. “Sepse, macja është më e bukur se unë”. Kjo ishte pika që më shkarkoi prej presionit për boshtin e tregimit të dytë, si dhe më nxori një titull atraktiv: “Eva brenda maces së saj”. Pjesa tjetër, sikurse tregimi i parë, do të sajohej prej hiçit për të njëjtën arsye – sikur na pëlqente atyre ditëve të thoshim – ngërthente brenda vetes farat e destruktimit të vet.