Kulturë

Kinematografët ballkanikë përballin të kaluarën me të tashmen në “DokuFest”

Kinematografët ballkanikë përballin të kaluarën me të tashmen në “DokuFest”

Për dikë shtëpia mund të jetë hapësira ku jeton tani dhe për dikë tjetër një hapësirë nga e cila është larguar kohë më parë. Po kështu, për një të tretë shtëpia mund të asociojë me një vend që nuk e ka shkelur e parë kurrë, por për të cilin ka dëgjuar nëpër përrallat dhe tregimet që i janë treguar si fëmijë.

E bash kjo e fundit vlen për regjisoren Jelena Maksimoviq. I tillë vjen filmi i saj “Homeland”, me të cilin i ka hyrë garës së Ballkanit në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”. Në këtë garë janë edhe nëntë filma të tjerë, në mesin e të cilëve edhe “Invisible to the Eye” i regjisores turke Zeynep Dadak, që shpërfaq Stambollin në dy periudha të ndryshme. “Është një simfoni për qytetin”, e përshkruan shkurtazi regjisorja. Në anën tjetër, regjisorja Marija Stojniq përmes “Speak so I Can See You” nuk ofron vetëm një film për Radion e Beogradit, por një homazh, një letër dashurie a një eksplorim brenda “thesarit”, siç e quan ajo radiostacionin e vlerësuar ndër më vjetrit në Evropë.