Kulturë

Dhuna, kriza e identitetit dhe shpresa si ngacmim për debat

Descriptive Text

Regjisorët përmes projekteve të tyre shpeshherë nxitën nga një nevojë të brendshme për të diskutuar mbi tema të caktuara, për të shfaqur ndjenja ose për të kthyer vëmendje nga disa personazhe që ata besojnë se duhet veçuar. Një ngacmim artistik të tillë e kanë pasur edhe tre regjisorë kosovarë, të cilët projektet e tyre i shpalosin në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”.

Regjisori Zgjim Terziqi përmes filmit të tij “Salloni” nxit diskutim për dhunën në familje dhe për lajmet e rrejshme. Regjisorja e lindur në Kosovë, por që jeton në qytetin Bruges të Belgjikës, Aulona Fetahaj, përmes filmit të saj “She Asked Me Where I Was From” eksploron krizën e identitetit nëpër të cilën kalon. E, regjisorja Vjosa Abazi përmes dokumentarit “Shpresa” sjell katër rrëfime që, sipas saj, fillimisht tregojnë fuqinë e grave. Tre filmat janë pjesë e garës kombëtare dhe janë të qasshëm në platformën online të Festivalit deri më 15 gusht. Festivali për shkak të pandemisë është detyruar që edicionin e 19-të ta mbajë online.

Rrëfimi i “Sallonit” zhvillohet në një sallon ondulimi. Për 14 minuta brenda sallonit, “Mata Hari” mëson se një grua ka vrarë burrin e saj. Gratë që vijnë në sallon kanë tregime të ndryshme në lidhje me ngjarjen. Pohimet e tyre nuk përputhen, ani pse shumica potencojnë se për këtë kanë lexuar në lajme. Diskutimi ndodh gjersa një nuse përgatitet për dasmën e saj. Regjisori Zgjim Terziqi ka thënë se rrëfimi i kishte lindur si nevojë për të diskutuar dy tema që, sipas tij, brengosin shoqërinë, por me të cilat mund të identifikohet e gjithë bota.

“Njëra ka të bëjë me dhunën në familje, dhe se si ajo shpesh neglizhohet kur lajmërohet në institucionet përkatëse. Tjetra ka të bëjë me gjendjen momentale mediatike dhe ndikimin e saj në formim të mendimit te lexuesi apo shikuesi. Gazetaria në shekullin XXI a është biznes, aktivizëm ideologjik, apo burim i informacionit?”, ka thënë ai. Ka treguar për vështirësitë financiare. Ka thënë se pjesa më e madhe është vetëfinancim i tij dhe producentes Valmira Hyseni, dhe ka shtuar se e vlerëson që si rezultat filmi “duket shumë më i shtrenjtë sesa është në fakt”.