Kulturë

Çakalli: Pa ndihmë konkrete, organizatave kulturore u vështirësohet mbijetesa

Çakalli: Pa ndihmë konkrete, organizatave kulturore u vështirësohet mbijetesa

Festivali më i madh dhe më me ndikim artistik e financiar në vend, “DokuFest”, nuk e ka pasur aspak të lehtë organizimin e edicionit të sivjetmë. Gjatë viteve është llogaritur si një infuzion i madh financiar për Prizrenin dhe krejt shtetin. Por, drejtuesit e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër kanë ardhur në përfundim se duhet një plan konkret i shtetit në mënyrë që të mbijetojnë organizatat kulturore.

Producentja e “DokuFest-it”, Alba Çakalli, në një intervistë për gazetën, ka thënë se pandemia ka vështirësuar funksionimin e secilit sektor të kulturës. Sipas saj, vendimmarrja për të organizuar edicionin e sivjetmë në platformën online ka qenë një prej sfidave kryesore. E ky problem është shoqëruar me vështirësi në sigurimin e fondeve. Sipas Çakallit, Prizrenit do t’i mungojë atmosfera e përvitshme, por edhe të hyrat financiare që i ka sjellë festivali. Ajo ka thënë se festivali ka ndryshuar sa i përket organizimit, por cilësia mbetet e njëjta. Ka vënë në pah se mungesa e mysafirëve të festivalit, mungesa e vizitorëve dhe qytetarëve të rëndomtë do ta afektojë dukshëm sidomos qytetin e Prizrenit. Sipas saj, kultura nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie në Kosovë dhe për këtë arsye, edhe në kohë pandemie, është një prej sektorëve më të goditur.