Kulturë

Shqipëria përfituese e 7 projekteve në kuadër të “Evropa krijuese”

Shqipëria është përfituese e 7 projekteve evropiane në kuadër të thirrjes “Bashkëpunimi Kulturor në Ballkanin Perëndimor 2020”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaron se ndër 300 aplikues, vetëm 13 projekte u shpallën fituese, mes tyre, shtatë organizata jofitimprurëse dhe institucione publike kulturore nga Shqipëria.

Ministrja sqaron se programi “Evropa krijuese” mbështet Shqipërinë në projektet: Shoqata Poeteka (2 herë fitues), Tulla, Qendra Marrëdhënie, Vox Baroque, Qendra Harabel dhe Muzeun Historik Kombëtar.

Programi Evropa Krijuese jep mbështetje për sigurimin dhe promovimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor europian dhe mbështetje për fuqizimin e sektorit të konkurrueshmërisë.

Synimet e programit janë të ndihmojë sektorët kulturorë dhe krijues që të shfrytëzojnë mundësitë në kuadër të moshës digjitale dhe globalizimit; të mundësojë që sektorët të forcojnë potencialin e tyre ekonomik duke kontribuar në rritje të qëndrueshme, vende pune dhe kohezion social; të japë akses për sektorin e kulturës dhe medias në Evropë me mundësi bashkëpunimi në nivel, tregje e audience ndërkombëtare. / ATSH