Shtimi i numrit të aktorëve rezidentë në teatrin “Dodona”, si dhe respektimi i Ligjit për teatrot, janë kërkesat e një grupi aktorësh të Prishtinës, që i adresuan të mërkurën para Komunës së Prishtinës.
Hapja e konkursit për pranimin e rreth pesëmbëdhjetë aktorëve është kërkesa e aktorëve, të cilët u grumbulluan për t’i përsëritur nevojat e shtruara qysh dy vjet më parë, raporton KOHA.
Teatri “Dodona”, për më shumë se njëzet vjet funksionon me vetëm katër aktorë rezidentë. Përderisa teatrot e qyteteve të mëdha të Kosovës tashmë përmes audicioneve kanë plotësuar ansamblet rezidentë, një gjë të tillë nuk e ka ndërmarrë Drejtoria e Kulturës së Komunës së Prishtinës.
Pavarësimi buxhetor që i hap rrugë formimit të ansamblit rezident është bërë sivjet. E sipas Ligjit për teatro, teatrot e qyteteve mund t’i kenë së paku 10 e më së shumti 20 aktorë.
Grupi i aktorëve thanë se kanë pasur takime me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, por kërkesat e tyre janë neglizhuar në vazhdimësi. Ata paralajmëruan protesta nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen brenda një afati të shkurtër.
Nga ana tjetër, Visar Krusha, drejtor i teatrit “Dodona” i ka thënë KOHËS, që ky institucion ka bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës për hapjen e konkursit për pesë aktorë, por janë ende në pritje të përgjigjes.
“Këshilli i Teatrit ‘Dodona’ ka mbajtur mbledhje muajin e kaluar dhe qëndrimi i tij është të shpallet ky konkurs. Po presim të dalë ky konkurs për pesë aktorë. Teatri ‘Dodona’ është teatër i qytetit të Prishtinës, statusin e ka teatër i qytetit të Prishtinës. Aktorë rezidentë ka dhe nuk mund të flitet për themelimin e trupës rezidente, por për rritjen e saj. Aktorët janë edhe pse janë të paktë në numër. Për këtë arsye ne kemi kërkuar që të rritet ky numër”, ka thënë Krusha.
Teatri i qytetit të Gjilanit, Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës dhe Podujevës, tashmë i kanë konsoliduar trupat rezidente.