Kulturë

Të tjerat janë heshtje

Bekimi, i lumi unë që e kam njohur! Më ka munguar një pjesë e fuqishme si në jetë ashtu edhe në profesion. Më ka zhvilluar tej mase. Fillimisht kisha dëgjuar për një regjisor, i cili është i ashpër në punë. Natyra ime e ka refuzuar që në start mënyrën e ashpër. Fillimisht e kam parë në çdo shfaqje dhe çdo provim të studentëve. Madje, edhe në “Skena UP” e kam takuar në çdo edicion. Ai ka qenë gjithmonë aty ku kishte studentë.

Bekimi është beku me studentët qe ai i ka zgjedhë vetë dhe thoshte: “Komplimenti ma i mirë në jetë asht me kanë student tanë jetën”. Njohje vetëm virtuale. Kështu e dija kush është, por kam hezituar t’i ofrohem. Kisha pak frikë se cili do të ishte reagimi. Por kur e kam njohur, atëherë jam bërë pishman që nuk i

jam afruar ta përshëndes. Po flas për një pjesëz të mozaikut të përvojës me të. Të tjerat ndoshta ndonjëherë tjetër pasi duhet një distancë kohore e një laps i mprehtë.

Në vitin e dytë në studime, profesor Lumi na ligjëronte për teorinë e aktrimit dhe regjisë në teatër. Për mua dhe për shijen time, mënyra se si ka ligjëruar me aktorët, nuk ka pasur as një lidhje me mënyrën se si ka punuar. Lënda e tij ka qenë një prej orëve më atraktive në Fakultet. Ka pasur renditje dhe qartësime filigraneske. Pastaj na bënte edhe praktikë në klasën e ngushte që e kishte. Vetëm 3 me 3 metra. Pasi që ka ndërruar jetë, kam shkuar në atë klasë për t’i bartur gjërat e tij. Nuk e di se si i ka zënë ajo hapësirë të gjitha ato.

Tri shfaqjet e tij të fundit në teatrin eksperimental “Loja” ishin pjesë e klasës. Një pjesë e madhe e kostumeve, rekuizitave, librave të tij e fletëpalosjet ishin aty. Nuk e di si ta sqaroj. Një njeri aq i madh që bënte shfaqje të magjishme, ligjëronte në nivel të jashtëzakonshëm e vepronte në një birucë, 3 me 3 metra. Një gjeni e gjeni gjithmonë në vende të tilla.

Teket që kishte e kanë bërë shumë të veçantë. Ka pasur shumë raste kur edhe i ka ndërprerë provat nëse ka pasur një provë të mirë dhe të frytshme. Thoshte: “Po e lëmë sonte me këtë ushtrimin e fundit se mos po dilni të më fascinoni e ma prishni edhe këtë që e bëtë mirë”. Mblidhni rraqet e po ecim”.