Kulturë

Kufijtë, autoktonia dhe përplasjet e përhershme

Kufijtë, autoktonia dhe përplasjet e përhershme
Pa u ballafaquar me të kaluarën, sikurse bota e civilizuar, do të jetë vështirë të luftohet diskursi publik i përplasjeve dhe gjuha e urrejtjes (Ilustrim: Edel Rodriguez)

Policët e pikës kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Merdare, paraditen e 30 majit të vitit 2018, kishin marrë edhe privilegje të tjera. Vlerësonin vepra arti. Fotografive u bënin analiza të përmbajtjes nacionaliste. Në dy prej imazheve që ishin nisur për një ekspozitë në Beograd ishte flamuri i Kosovës. Në këtë simbol paraqitet edhe harta e shtetit të ri në Evropë. “Ne može” (nuk mundet) konstatoi tri herë një prej zyrtarëve policorë.

Dy fotografitë e artistes, Eliza Hoxha, ku shihej flamuri i Kosovës dhe një tjetër ku paraqitej akronimi UÇK, u konstatua se nuk bën të jenë pjesë e një ekspozite të edicionit të pestë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Polici që urdhrat i jepte në serbisht e pyetjet nganjëherë i shtronte edhe në shqip, nuk i besonte vetes se është “selektor” i zoti. Disa imazhe i fotografonte në telefon e përmes aplikacionit “Viber” i përcillte tek eprorët. Kësisoj, kufiri midis dy shteteve atë ditë mori përmasa të tjera, shkruan KOHA.