Kulturë

Robert Bisha rikthehet në Prizren me eksplorimin e botës së tij muzikore

 

Çdo herë që muzikanti shqiptar Robert Bisha del në skenë, publiku duhet të përgatitet për një performancë goxha eksperimentale. Muzika e tij është një gërshetim mes tradicionales, klasikes dhe jazzit. Tingëllon si kombinim jo i zakonshëm, por kompozitori dhe multi-instrumentisti është mjeshtër i këtij gërshetimi. Bisha, i cili nëpërmjet muzikës së tij promovon muzikën tradicionale folklorike shqiptare, të shtunën vjen në Prizren. Është mysafir i “Lumbardhit” dhe paraqitet me një koncert pianistik të titulluar “Home Neverland”. Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, vetëm 50 veta lejohen në “Kino Bahçe”. Për të tjerët është një mundësi e veçantë: do të mund ta ndjekin koncertin në transmetim live në Kohavision prej orës 19:00.

“Home Neverland” është njëkohësisht titulli i projektit pianistik të muzikantit shqiptar realizuar në gusht të vitit të kaluar. Pianoja është instrumenti kryesor ku Bisha shfaq muzikalitetin e tij, mirëpo ai luan edhe në kitarë, çifteli, fizarmonikë, perkusione e të tjera.