Kulturë

Ndërhyrjet në “Shtëpinë e Sportit” mbulojnë muralin 14 vjet të vjetër

Për 14 vjet me radhë muri i objektit që njihet si “Sllovenia Sporti” identifikohej edhe me imazhin e sportistit në vrap dhe me dy duart që simbolizojnë dorëzimin e stafetës, sipër tij. Por kjo vepër s’do të jetë më aty. Shpëtoi para dy vjetësh kur u zhduk për 24 orë, pasi u mbulua nga një reklamë, për t’u rikthyer pas reagimit të artistëve, por jo edhe tash.

Të mërkurën nuk i shihej asnjë gjurmë. Është mbuluar me fasadë, pasi që në objektin e asaj që sot është “Shtëpia e Sportit” në rrugën “Agim Ramadani” ka filluar implementimi i Projektit për Efiçiencë të Energjisë dhe Burime të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Një veprim i tillë i ka revoltuar artistët Fitore Berisha dhe Mehmet Dedinja që janë autorë të muralit.

Sipas tyre, është dashur që të bisedohej për mundësitë e ruajtjes së kësaj vepre, përkundër intervenimeve në objekt. Në shkurt të 2018-s murali qe mbuluar nga një reklamë e “Coca Cola-s” e cila ishte larguar pas reagimeve të artistëve dhe ndërhyrjes së autoriteteve komunale.

Artistja Fitore Berisha ka thënë se e kishte vënë re që murali ishte mbuluar mëngjesin e së martës, kur kishte kaluar pranë “Shtëpisë së Sportit”. Vepra ishte realizuar në kuadër të projektit që Berisha kishte nisur në vitin 2002, duke themeluar një organizatë joqeveritare, të cilën e quajti “Mural Art Group”. Projekti rezultoi me disa murale nëpër kryeqytet.

“Është shumë fyese që të fshihet vepra e një artisti. Unë jam kthyer në Kosovë të kontribuoj në një shoqëri më demokratike, një shoqëri më moderne. Me artin tim kam dashur që të zbukuroj vendet publike dhe të zgjoj një ndjenjë të mirë te qytetarët”, ka thënë Berisha, e cila u kthye në Kosovë në mars të 2019-s. Ka jetuar 15 vjet në Islandë e një kohë edhe në Australi. Berisha është edhe autore e muralit te stacionari i ngrohjes qendrore afër Fakultetit Teknik, një dizajn me flutura e lule, i quajtur “New line”. E realizuar më 2005, kjo vepër ende reziston, ndonëse i mungon një pjesë. Më 2017 realizoi muralin te ambulanca e studentëve në Qendrën Studentore, e po atë vit edhe “Gratë tona” te “Kafja e Vogël”. Më 2019 realizoi “Fuqia në ty” te rruga “Rexhep Luci” e po aty edhe “In Memoriam Astrit Dehari”.

Berisha ka thënë se për shkak të trajtimit që u bëhet veprave dhe artistëve në Kosovë nuk ka më vullnet për të realizuar të tjera.

“Jam e zhgënjyer nga qasja që institucionet janë duke pasur ndaj artistëve. Të njëjtat institucione që kanë ofruar fonde për të krijuar veprën nuk e kanë mbrojtur atë. Ka pasur mundësi që të ndërhyhet në vepër, që e njëjta të ruhet dhe jo të fshihet komplet, ashtu siç po veprohet me vepra”, ka thënë ajo. I është referuar edhe rastit të muralit të parë që kishte realizuar në vitin 2003 në murin e Fakultetit të Filologjisë, i cili quhej “Simboli i rinisë”, e që nuk ekziston prejse u rinovua objekti.

Mehmet Dedinja ka thënë së gjatë viteve murali është bërë pjesë përbërëse e qytetit dhe ikonë e objektit të “Sllovenia Sportit”.