Kulturë

Përmbyllet rasti i “Kthimit”, pronësia e çmimet i takojnë regjisores

Përmbyllet rasti i “Kthimit”, pronësia e çmimet i takojnë regjisores
Skenë nga filmi “Kthimi”, të cilit sherri i përplasjeve midis regjisores dhe producentit iu pre rrugëtimi qysh më 2012

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka përmbyllur rastin e filmit “Kthimi”. Ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit “Nine Eleven”, si dhe e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të tetorit të vitit të kaluar. Gjykata e shkallës së parë e kishte vlerësuar të pabazë kërkesëpadinë e vitit 2012 të “Nine Eleven” kundër Blerta Zeqirit në lidhje me pronësinë dhe çmimet për filmin “Kthimi”. “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, dhe që e paditura Zeqiri të obligohej që ta njihte të drejtën e tyre të autorësisë dhe të paguante shpërblimet prej çmimeve të fituara nëpër festivale, sikurse t’i kthente edhe çmimet.

Vendimi për regjisoren Zeqiri ishte arritje e drejtësisë, e për producentin Blerim Gjoci aktgjykimi ishte kundërligjor, i pabazuar dhe jo i arsyetuar. Gjoci brenda afatit ligjor kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kishte propozuar që “për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe të ndryshojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë”.