Tri pjesë të trupit ndodhen të vendosura në skele. Materiali fizik që është përdorur për to është rezina, silikoni, brusha me ajër dhe leshi i dhisë, por paralel me to është edhe një histori tjetër sfilitjesh, lodhjesh, lëndimesh e, madje, edhe vdekjesh.
Me ambicien për të vetëdijesuar përmes artit për çështjen e të drejtave të punëtorëve, ekspozita “Heronjtë publikë dhe sekretet” vjen si evokim me historitë e pathëna të punëtorëve të ndërtimtarisë në Kosovë, e po kaq edhe si aludim në politikat neoliberale të privatizimit.
E hapur në buzëmbrëmjen e së premtes në katin e dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës, ekspozita me veprat e reja të artistes Doruntina Kastrati reflekton mbi një sistem që shpesh priret t’i keqpërdorë punëtorët e t’i shkelë të drejtat e tyre.
“Ne jemi qenie njerëzore, biri im, thuajse zogj, heronj publikë dhe sekrete”, janë vargjet përmbyllëse një poezie të poetit kilian, Roberto Bolaño, prej të cilave është marrë edhe titulli i ekspozitës.
“Është njëfarë kornize shumë e vogël që kallëzon gjendjen e klasës punëtore, aksidentet dhe përditshmërinë e tyre, deri edhe vdekjet”, ka thënë Kastrati për KOHËN gjatë hapjes së ekspozitës.
Duke respektuar protokollet e sigurisë të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e koronavirusit, në galeri u lejua vetëm një numër i vogël njerëzish.
Kishte qenë një ekspozitë e para dy vjetësh në Elefsinë të Greqisë ajo që u bë si uverturë për një “zbulesë” artistike. Duke qëndruar në një fabrikë që kishte shënuar rekordin e zi me numrin më të lartë të vdekjeve, Kastrati me t’u kthyer në Prishtinë do të niste të reflektonte për veprat e saj të mëparshme: plot prej tyre trajtonin shi sektorin e ndërtimeve ilegale.
“Dhe kështu kam bërë njëfarë ‘palimi’ të punës sime ndër vite, me fokus kryesor mbi atë se kush i bën këto ndërtesa”, ka treguar Kastrati.
Tok me kuratoren Hana Halilaj, ajo kishte nisur një hulumtim në zemër të të cilit ishin intervistat me punëtorët.
Këtë hulumtim ajo e ka përshkruar si shumë “spontan”, pasi që nuk e dinin se si do të priteshin nga punëtorët. Madje disa nuk kishin pranuar të flisnin për shkak të frikës se do të pushoheshin nga puna. “Por, një pjesë e tyre janë të mllefosur dhe mezi presin të tregojnë përditshmërinë e tyre”.