Java e pestë e shfaqjes së filmave studentorë në kuadër të programit “Filmi UP” në Kohavision, sjell në ekran filmat “Veç kuq” nga regjisori Durim Kryeziu dhe “Mollëkuqja” nga regjisorja Hana Bucalija.
Ngjarja në filmin “Veç kuq” është e vendosur në kohën e okupimit serb në Kosovën e vitit 1990.
Pas organizimit të një ekspozite garuese të kafshëve nga fshatarët, një patrullë policore serbe nis një hetim në lidhje me shenjat e kuqe të cilat i hasin rrugës. Kjo i shtyn të organizojnë një aksion ndaj banorëve të fshatit.
Situata del nga kontrolli dhe disa nga policët, për shkak të një keqkuptimi mes tyre, vrasin njërin nga ta. Për këtë ata vazhdojnë të terrorizojnë banorët pa fajin e tyre.
Derisa filmi i dytë i regjisores Hana Bucalija, i cili titullohet “Mollëkuqja”, sjell rrëfimin e një 40-vjeçari dhe familjes së tij.
Shabani si kryefamiljar bashkë me gruan dhe fëmijët detyrohen të bëhen pjesë e një programi televiziv për të rrëfyer gjendjen e tyre të vështirë sociale dhe kushtet e papërballueshme për një jetesë normale.
Krejt kjo me shpresë se mund ta sigurojnë një kulm mbi kokë.
Programi “Filmi UP” do të përmbyllet me dymbëdhjetë të këtij muaji, pas 6 javësh transmetimi, me shfaqjen e filmave “Faith” nga Jehona Berisha dhe “Kandër” nga Trëndëlina Halili.
“Filmi UP” është program i cili është hartuar nga Drejtimi i Regjisë së Filmit dhe Televizionit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Kohavisionin, dhe vjen në ekran çdo të diel prej orës 20:30 me prezantimin e filmave të filmbërësve të rinj kosovarë.