Kulturë

Figura e papërsëritshme e roleve epike të valleve shqiptare

Dasmat në Tiranë e kishin kalitur në valle si fëmijë. E hapat do të niste t’i hidhte me përpikëri në Ansamblin Popullor, që ishte themeluar si institucion profesional më 1957. Shpejt do të bëhej ndër figurat qendrore të Ansamblit. “E kisha dhunti të bija në sy. Isha shumë i gjallë”, do të rrëfente ai në vitin 2017, pas gjysmë shekulli në skenë. Për shumëkë është figurë e papërsëritshme. Ai vdiq të dielën në Tiranë

Nuk ishte më shtathedhuri ndër kolegë, por ndër më shtatplotët e valleve shqiptare. Dasmat në Tiranë e kishin kalitur në valle si fëmijë. E hapat do të niste t’i hidhte me përpikëri në Ansamblin Popullor, që ishte themeluar si institucion profesional më 1957. Shpejt do të bëhej ndër figurat qendrore të Ansamblit.

“E kisha dhunti të bija në sy. Isha shumë i gjallë”, do të rrëfente ai në vitin 2017, pas gjysmë shekulli në skenë.

Sa herë që përmendet Ansambli Popullor i Shqipërisë, midis profesionistëve të artit, ndër emrat e parë që zë vend në këto biseda është Besim Zekthi. Për shumëkë është figurë e papërsëritshme. Ai vdiq të dielën në Tiranë. Ishte 84 vjeç. Për botën profesionale, Zekthi paraqiste profesionistin që buronte nga një talent i lindur. E për udhëheqësit e institucioneve, një prej diplomatëve më të zotë të promovimit të kulturës shqiptare në botë.