Kulturë

Libër për periudhën e ndërlikuar të historisë së Egjiptit

Libër për periudhën e ndërlikuar të historisë së Egjiptit
“Kafeneja el Karnek” vjen si dhuratë e shkëlqyer për lexuesin shqiptar. Fjala është për një qasje interesante në një kohë të definuar, të përballur me rryma të ndryshme kontroverse për të gjetur rrugën më të mirë të jetësimit shoqëror e politik
 

Dihet se përkthimet nga përkthimet, dashtë e pa dashtë, në një mënyrë apo tjetër, dalin si shpërfillje të origjinalit. Mirëpo, një fjalë e popullit thotë: kur nuk ka shi, bën edhe breshër. Prezantimi i veprave të autorëve të huaj në gjuhën shqipe më herët në Kosovë, të shumtën, është bërë me përkthimin e veprave të përkthyera, në mungesë të kuadrit të specializuar për gjuhët e tjera. Viteve të fundit, gjithnjë e më shumë po vjen në shprehje përkthimi i veprave nga origjinali nga përkthyes të zellshëm të shkolluar (e specializuar) në gjuhë të huaja.

Në mesin e emrave të cilët kohëve të fundit janë dëshmuar dhe po dëshmohen është edhe Ejup Ramadani, studiues i gjuhës arabe dhe angleze në Universitetin e Kajros. Deri tash, nga ky përkthyes, nga gjuha arabe i kemi në gjuhën shqipe katër vepra: “Burrat në Diell” nga Gassan Kanafani, “Rrëfimi i një nate” nga Nexhib Mahfuz (të dy veprat të Botimeve KOHA) “Premtimi” nga Taha Husejni dhe “Kusari” i shkrimtarit të njohur nga Katari, Mbdulaziz Al-Mahmu.