Kulturë

Forca e zakonit në “Shqipërinë tjetër”

“Megjithatë, dikujt mund t’i shkojë mendja se lidhja e tepërt me vlerat tradicionale, si dhe konsideratat ekonomike janë përgjegjëse pse shtëpitë e reja janë ndërtuar në oborrin e shtëpisë së vjetër. Mbi të gjitha, ato do të mund të ndërtoheshin në tokën bujqësore të Hadrive, tani që nuk ka rëndësi parësore ekonomike, nëse nuk do të ishte në kundërshti me zakonet tradicionale rurale, si dhe si ndryshim i madh radikal me aspektet e familjes tradicionale”, shkruante gazetari i prestigjiozes “New York Times”,

Dennison I. Rusinow në pjesën e dytë “Fshati, fabrika dhe kosovarët” të studimit “Shqipëria tjetër: Kosova 1979”. Dhe sot, gjithandej Kosovës, syri të rrokë nga pesë-gjashtë shtëpi identike vëllezërish. Ka edhe aso me mure të ngjitura, e që e njihen si “shtëpi me shumë kulme”. Masat për parandalimin e përhapjes së virusit me kurorë kanë shtyrë institucionet që t’i angazhojnë artistët e figurat e ndryshme publike që t’u bëjnë thirrje qytetarëve të rrinë në shtëpi.

Artisti Sislej Xhafa është frymëzuar nga masat kundër pandemisë në SHBA për veprën që në thelb ka rolin e strehës. Të pastrehët, duke fjetur nëpër ulëset e metrove njujorkeze, janë në fokus të videove të fundit të realizuara nga Xhafa. Përmes tyre ai i është përgjigjur thirrjes së galerisë “Galleria Continua” për të treguar një përvojë personale ose artistike në kohën e pandemisë.

“Ai gjatë një xhiroje nëpër metrotë e New Yorkut ka vënë në pah shumë gjëra që më parë kanë qenë të padukshme e njëkohësisht ka vënë në pikëpyetje edhe konceptin shtëpi. I ka përthekuar të gjitha këto përmes disa videove që janë publikuar nga “Galleria Continua” në faqen e saj në Facebook. “Pasi që shtëpia është aty ku është zemra, zemra këtu është e padukshmja që bëhet e dukshme”, ka thënë artisti Xhafa për KOHËN nëpërmjet komunikimit me e-mail në mesprill.

“Përveçse”

Në mesmaj, nga Meksika, poeti Xhevdet Bajraj ka nxitur në Facebook dhjetëra komente të rahovecasve që kanë lexuar poezinë “Përveçse”, pjesë e veprës “Lëngu i trëndafilave”, botuar më 2017 nga Botimet KOHA. Vargjeve, si “Unë mund të mbijetoj kudo/ Zot/, por askund nuk mund të lulëzoj/ përveçse/ atje/ ku është ajo”, ua ka bashkëngjitur një shtëpi të vjetër në qytetin e rrushit. “Në këtë dhomë mbi rrugë, saktë para 50 vjetësh, jam lindur unë”, ka komentuar Bekim Beko Durguti në platformën sociale.

Etnologu Valon Shkodra thotë se populli ka krijuar shumë shprehje e fjalë të urta që mishërojnë lidhjen me shtëpinë, duke i listuar disa sosh: Askund nuk e ki më mirë se në shtëpinë tënde; Hyn e del si në shtëpi të vet; Kolibë, kolibë është shtëpia ime; Shtëpi pushke; Shtëpia pa djepa e ahuri pa vjeta nuk bon hiç; Nuk mbahet shtëpia me miell hua.

Plani i shtëpisë me të çarshisë nuk shkon; Shtëpi mikpritëse; Shtëpi bukëdhënëse; Shtëpi e madhe, e të tjera.

“Studiuesi amerikan Robert Rakoff shprehet se shtëpia është një objekt kulturor me kuptim. Shtëpia është vend i sigurisë, i kontrollit, i pushimit, i ngrohtësisë, shtëpia ka identitet dhe intimitet”, thotë Shkodra, duke shtuar se shtëpia si mjedis për mënyrën e jetesës përmbush funksione të ndryshme kulturore e sociale.

“Është vendi më i rëndësishëm i familjes, andaj është edhe traditë që të ruhet nderi i shtëpisë, dhe kjo traditë është përcjellë gjeneratë pas gjenerate”.

I kthehet një tjetër fjale të urtë popullore: "’Po t’u bë oxhaku me shej’, në këtë rast e ka kuptimin e shtëpisë, (nëse është bërë ndonjë e keqe në shtëpi), nuk të nevojitet as pasuria e botës, sepse shqiptari për një nder rrnon”.